Besimtarët myslimanë e festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festa e dytë më e madhe myslimane menjëherë pas Fitër Bajramit.

Marketing

Me namazin e mëngjesit, e pastaj edhe me namazin e Bajramit fillon festimi treditor, në të cilin respektin ndaj Allahut, myslimanët e shprehin me therje të kurbanit.

Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie.

Kjo festë karakterizohet nga gatishmëria e besimtarit, që vetëm për All-llahun të sakrifikojë vlerat e tij materiale dhe shpirtërore.

Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtje themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame. Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët.

Porosia e parë e këtij bajrami për të gjithë besimtarët myslimanë është të kërkuarit e diturisë dhe shfrytëzimi i mendjes dhe i trurit nga ana e tyre.

Porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi dhe ne përsëri jemi dëshmitarë të mbajtjes së manifestimit numerikisht më të madh njerëzor. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës dhe me mund e sakrifica të mëdha, nisen në udhëtimin më të gjatë dhe më të dashur, udhëtimi i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun.

Ndërsa porosia e tretë është Kurbani – sakrifica për të tjerët. Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë. Edhe ky akt fetar bie në ibadetet pronësore që çdo mysliman të ther kurban. Si kurban mund të theret bagëti e imët njëvjeçare (dele, dash, dhi, cjap), lopë dyvjeçare, ose deve pesëvjeçare. Në parim, kafshë më të reja se këto nuk mund të theren për kurban. Për të qenë i vlefshëm kurbani, kusht është që të jetë krejtësisht i shëndoshë.

Marketing