Lajme të mira na vijnë nga Faenza e Italisë, aty ku po zhvillohet Europiani në mundje për kadetë, njofton “infOSport.mk”. Mundësi i KM Liria, Besir Alili është shpallur kampion i Europës në kategorinë deri 48 kg, duke mundur në finalen e madhe armenin Harutyun Hovhannisyan.

Alili i cili shkëlqeu edhe në luftërat e mëparshme gjatë këtij kampionati, doli të jetë superior edhe në luftën finale, në të cilën shënoi fitore me rezultatin 7-6.

Rikujtojmë Alili vitin e kaluar në Europianin e zhvilluar në Shkup duheshe të kënaqet me medaljen e argjendtë, pasi në finalen e madhe ishte mundur nga një mundës tjetër armen, Rafajall Hurutjunan.

Fitorja e sotme ndaj Hovhannisyan, ishte një hakmarrje e ëmbël për atë disfatë të vitit të kaluar, ndërsa kjo medalje ka gëzuar gjithë dashamirët e mundjes në vend, që është në rrugën e mbarë për të rikthyer buzëqeshjen këtij sporti në vendin tonë.

Rikujtojmë Alili rrugës drejt finales së madhe eliminoi polakun Oskar Kulczycki, Andrei Vitan nga Moldavia si dhe gjeorgjianin, Luka Gugegashvili.