BFI shpërndan mbi 50 ton mish kurbani për të varfrit

Mbi 50 ton mish kurbani do të shpërndahen në të gjithë territorin e Maqedonisë nga BFI. Të gjitha familjeve me status të rrezikuar social gjatë ditës në ambientet e këtij institucioni u është dhuruar mishi i kurbaneve të vegjël.

Marketing

Me qindra familje nevojtare të nacionaliteteve dhe besimeve të ndryshme prisnin radhën për të marrë pjesë nga kurbanet.

“Në Shkup e fillojmë dhe çdo i varfër, i cili nuk e ka fatin e mirë, ata që janë në këtë kategori, sot ne si institucion BFI, e fillojmë me këtë kategori dhe do të përfshijmë të gjithë territorin e Maqedonisë.

Desha të theksoj se Tetova dhe Gostivari vetëm se e kanë kryer këtë formë të shtrirjes së dorës të gjithë atyre që janë një kategori e dhimbshme për ne dhe për të gjithë shoqërinë. Si gjithnjë edhe sot shprehim shpirtin e humanizmit dhe solidaritetit”,- deklaroi dekani në Fakultetin e Shkencave Islame, Shaban Sulejmani.

Këtij aksioni iu bashkëngjiten edhe organizatat e ndryshme humanitare të cilat kanë marrë mish kurbani nga BFI për tua dhuruar familjeve të cilat i kanë në listën e tyre.
“Ne bashkëpunojmë prej themelimit, prej vitit 2016 deri tani kemi mbi 200 familje nevojtare të cilat kanë nevojë dhe nëpërmjet këtij bashkëpunimi u ndihmojmë”,- theksoi një përfaqësues i Shoqatës humanitare “Burimi”.

“Ne përafërsisht i shpërndajmë nga 250 pako ose qese me mish kurbani, për anëtarët e shoqatës tonë të cilët janë në rrezik social. Kemi rreth 600 anëtarë afër 300 prej të cilëve janë në rrezik social dhe ekonomik, për të cilët e bëjmë edhe këtë aktivitet”,- u shpreh nënkryetari i Shoqatës së invalidëve “Shpresa”, Blerim Rexhepi.

“Unë kam ardhur nga qyteti i Kavadarit, jam përfaqësues i myslimanëve dhe kategorisë së rrezikuar sociale. Erdha që nga ky mish kurbani të marrin edhe ata. Prioritet në këtë mish kurbani kanë ata për të cilët kujdeset BFI, nxënësit e shkollës së mesme teologjike, atje ku fëmijët shkollohen dhe ushqehen falas”,- theksoi përfaqësuesi për Kavadarin, Ahmed Haxhiu.

Ky aksion do të vazhdojë edhe dy ditët e ardhshme në të gjitha qytetet tjera të vendit, prej nesër do të shpërndahet mishi i kurbaneve të mëdhenj, ndërsa sot është shpërndarë mishi i kurbaneve të vegjël.