Biznesi kundërshton, Qeveria e vendosur të rrisë rrogën minimale

Edhe përskaj kundërshtimeve të komunitetit të biznesit, qeveria nuk lëshon pe sa i përket rritjes së rrogës minimale.
Rritje të pagës minimale parashikohet të ketë në pranverë, tha kryeministri Zaev, por pa dhënë më tepër detaje.

Marketing

Zaev tha se po vazhdojnë konsultimet me komunitetin e biznesit dhe po bëhen analiza në Ministrinë e Punës dhe Mbrojtjes Sociale dhe atë të Financave.

“Pas të gjitha konsultimeve që Ministria e punës dhe ajo e Financave do t’i bëjnë me Shoqatat e punëdhënësve, me klasterët, sidomos industrinë e tekstilit dhe lëkurës, pasi këtu është impakti më i madh, do të njoftojmë sa do të jetë rritja e pagave”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Bizneset alarmojnë se tani nuk është momenti i duhur për rritje të pagës minimale. Rritja e tillë do të ketë efekt negativ edhe në investimet e huaja, vlerësojnë investitorët e huaj që operojnë në vend.

Në anketën e Odës ekonomike gjermane, investitorët alarmojnë se rritja e re e kësaj page do t’i zmbraps investitorët nga Maqedonia.

Për rritjen e re të pagës minimale, qeveria duhet të njoftojë kompanitë të paktën 1 vit më herët, thonë ata.

“Në fillim të vitit u votua Ligji për rritjen e tatimit të të ardhurave nga 10% në 18%, për ata që marrin pagë më shumë se 900 euro neto. Nëse miratohet edhe Ligji për rritjen e pagës minimale, sërish kompanitë do të ballafaqohen me harxhime shtesë, që nuk janë të planifikuara në kohë nëpër buxhetet e tyre”,- thonë nga Oda Ekonomike gjermane.

Në Maqedoni ka filluar angazhimin e tij këshilltari special që e dërgoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në takimin e parë me zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, ka këshilluar se patjetër duhet të intervenohet menjëherë pasi për vendin për momentin flitet mirë në botë.

Marketing