Boiken Abazi: Me teatrin Rama shembi edhe shumë iluzione të tjera

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka komentuar 1 vjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në një postim në Facebook, Abazi shkruan se së bashku me Teatrin, Rama shkatërroi dhe shumë iluzione të tjera, siç është dalja nga varfëria e tejskajshme, heqja e pushtetit nga krimi dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Marketing

Postimi i plotë:

1 vjetori i shembjes së Teatrit dhe shumë iluzioneve. Sot bëhet një vit prej kur pushteti shembi në mënyrë kriminale Teatrin Kombëtar. Pas një viti ia vlen të theksohet se është shembur jo vetëm Teatri, por njëkohësisht edhe shumë iluzione. Iluzioni i parë që u shemb, perveç Teatrit, ishte iluzioni se Qeveria Rama nuk do shkonte deri në shembjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore në qendër të Tiranës. Teatri jo vetëm që u shemb, por shembja u bë tinëz, në orët e para të mëngjesit. Madje, goditjet e para të fadromës u bënë duke patur ende aktivistë brenda objektit të Teatrit, dhe duke u rrezikuar edhe jetën. Forca speciale të Policisë së Shtetit, të armatosura deri në dhëmb, hynë në objektin e Teatrit dhe me dhunë nxorrën aktivistët që ishin ende brenda. Dhuna e shfrenuar policore u ushtrua ndaj kujtdo që bënte rezistencë, dhe u pasua me dhjetra arrestime ndaj qytetarëve.

Një vit pas shembjes së Teatrit, u shemb edhe iluzioni se bashkë me Teatrin Rama shembi pushtetin e tij. Është e qartë se opozita PD dhe LSI nuk mundi dot ta rrëzonte Ramën me votë duke përdorur krimin e kryer te Teatri për mobilizim. As opozita jashtë kontrollit të PD dhe LSI nuk mundi dot që të mobilizonte masivisht njerëzit përmes denoncimit të shembjes së Teatrit Kombëtar. Iluzioni i tretë i shembur bashkë me Teatrin është se shtresa e mesme në Shqipëri mund të sjellë ndryshimin e shkëputur nga kauzat e masave të gjera të popullsisë. Pjesa dërrmuese e aktivistëve që morën pjesë në rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i përkisnin shtresës së mesme, më saktë një fraksioni të vogël të shtresës së brishtë të mesme në Shqipëri. Niveli i varfërisë gjatë vitit 2020, duke e përllogaritur me më pak se 5.5 dollarë në ditë për përson, në Shqipëri mbërriti zyrtarisht në 40% sipas shumë organizatave ndërkombëtare. Niveli jo zyrtar mund të jetë edhe më i lartë. Një pjesë tjetër e konsiderueshme e qytetarëve nuk janë shumë larg kufirit të varfërisë.

Nëse kësaj i shton edhe rrënimin e shërbimeve publike si shëndetësia, infrastruktura, arsimi, etj., kuptohet që varfëria është e shtrirë shumë më gjerë në Shqipëri. Në rezistencën për mbrotjen e Teatrit Kombëtar nuk morën pjesë njerëz të varfër. Shumë prej njerëzve të varfër gjatë fushatës zgjedhore nuk e perceptonin aspak si çështje shembjen e Teatrit Kombëtar. Kauza e mbrotjes së Teatrit Kombëtar nuk u lidh dot me kauzën e pabarazisë dhe varfërisë në Shqipëri. Ajo mbeti kauzë e huaj për shumicën e qytetarëve të Shqipërisë të zhytur në varfëri. Pati një moment kur kauza e Teatrit u lidh me ndihmën për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Por kjo ndihmë mbeti në nivel filantropie, dhe nuk i lidhi kauzat drejt një mobilizimi të përbashkët. Aktivistët e përfshirë në mbrotjen e Teatrit, të gjithë ne bashkë, dështuam ta lidhnim kauzën e Teatrit me masat e gjera të varfëruara në Shqipëri. Kështu, bashkë me Teatrin, pas një viti, mund të thuhet se pa përfshirë shtresat e varfëra të popullit në Shqipëri, pa u përfshirë drejtpërdrejt në kauzat urgjente që prekin (mbi)jetësën e tyre dhe shtypjen brutale të tyre, atëherë potenciali transformues nuk mund të çlirohet në Shqipëri. Bashkë me Teatrin u shemb edhe iluzioni se qyteti mund të mbrohet pa adresuar njëkohësisht mbrojtjen e më të pambrojturve në këtë shoqëri.

Marketing