“Bombat”, reagime të shpejta nga Zaevi dhe Janeva

Reagime të shpejta erdhën pas publikimit të audio regjistrimit në “La Verita” nga Prokurorja Speciale Katica Janeva dhe kryeministri Zoran Zaev, pasi Janeva u dëgjua në regjistrimet, dhe Zaev u përmend nga Boki 13. Janeva pretendon se ka komunikuar me Kamçev në interes të hetimit, në mënyrë që të bëhet një bashkëpunëtor -dëshmitar i PSP-së.

Marketing

Në këtë rast, gjatë asaj periudhe, kishte bisedime nga ana ime me personin O.K. për t’u bërë dëshmitar-bashkëpunëtor në një parahetim të ri, të cilin e udhëhiqnim në Prokurori, së bashku me një nga prokurorët e mi ndihmës. Unë u bëj thirrje autoriteteve hetimore që ti përfundojnë sa më shpejt hetimet, të mbledhin të gjitha provat dhe të përfundojnë të gjitha ekspertizat mjekoligjore që lidhen me çështjen Reket, ta zgjidhin plotësisht këtë rast dhe ta zbardhin emrin tim- thotë Katica Janeva – Prokurore Speciale Publike.

Edhe kryeministri Zaev gjithashtu thotë se Boki 13 e keqpërdori emrin e tij për të forcuar pushtetin e tij përpara Kamçevit. Ai thotë se ka biseduar me Boki 13 vetëm për aktivitetet humanitare të Lidhjes Ndërkombëtare, por që as ai dhe as qeveria nuk kishin ndonjë bashkëpunim me të. Maqedonia e Veriut është e gatshme për drejtësi, sado e vështirë dhe traumatike të jetë ajo, thotë Zaev.

Unë bëj thirrje për një hetim të plotë dhe të pavarur, i cili duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe duhet të tregojë të gjitha detajet. Rezultati i hetimit duhet të sjellë marrje të përgjegjësisë, vetëm në përputhje me provat dhe në përputhje me drejtësinë. Duhet të ketë përgjegjësi edhe për sajuesit edhe për të gjithë ata që bëjnë çmos që të shpëtojnë dhe më pas prezantohen si viktima. Edhe një herë, u bëj thirrje të gjitha autoriteteve hetuese që të hetojnë plotësisht çështjen dhe të marrin vendime. Institucionet e pushtetit ekzekutiv janë në dispozicion të tyre me qëllim të ofrimit të kapaciteteve të tyre autoriteteve hetimore dhe gjyqësore- shkruan Zoran Zaev – Kryeministër i RMV.

Nga Prokuroria konfirmuan se prokurorja e PSP-së Lile Stefanova, e cili po e udhëheq rastin “Perandoria”, ku Kamçevi është i dyshuar, të martën është thirrur të japë dëshmi. Stefanova dje tha se edhe krahas kundërshtimit të saj, Janeva ka kërkuar që Kamçevit t’i jepet pasaporta dhe që rasti të përfundojë vetëm me kompensim për shtetin, pa dënime me burg. Zëvendësuesja e autorizuar e shefes së PSP-së prokurorja Elizabeta Josifovska, thotë se e ka nënshkruar vendim për kthimin e pasaportës së Kamçevit me urdhër të Janevës, e cila ishte me pushime. Pohon se Stefanova nuk ishte pajtuar me një vendim të tillë.

Ai ishte qëndrimi dhe vendimi i prokurorit special dhe në atë rast ne u pajtuam me kolegen se ishte e pamundur të veprohet me asgjë tjetër përveçse të nënshkruhet ai mendim, i cili, do ta përsëris, është mendimi i prokurorit special. Unë në atë moment nuk kisha njohuri, as dyshime, madje as tani nuk kam një gjë të tillë, se në prapavijë të kësaj ka diçka kriminale. Kështu që nuk kam pasur arsye të dyshoja për mendimin e tillë- tha Elizabeta Josifovska – Prokurore e PSP-së.

Zëri i Janevës sot në disa raste është dëgjuar në regjistrimet audio të La Verita. Asaj Prokuroria ia morri telefonat celularë në rastin Reket, por nuk është në listën e të dyshuarve dhe aktualisht është me pushime në Greqi. Prokurori republikan siguroi dje se askush nuk do të kursehet dhe se të gjithë ata që janë të përfshirë do të merren në pyetje. Ftesë zyrtare që Janeva të japë deklaratë në lidhje me “Raket” deri tani nuk ka.

Alsat