Boris Johnson do të gjykohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Boris Johnson, njëri nga kandidatët e Partisë Konservatore për kryeministër të Britanisë, do të paraqitet para gjykatës, pas dyshimeve se ka gënjyer kur ka thënë se Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Bashkimit Evropian 350 milionë euro në javë.

Ai është akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, teksa ka bërë këto deklarata gjatë fushatës së vitit 2016 për referendumin rreth largimit të Britanisë nga blloku evropian.

Përfaqësuesit e Johnsonit kanë thënë se ky rast ka qëllime politike.

Ky gjykim është konsideruar të ketë ardhur në kohë shumë të keqe për Johnsonin, pasi kritikët e tij kanë mundësi të përdorin këtë rast kundër tij në garën që do të mbahet për zgjedhjet e kryetarit të ri të Partisë Konservatore, i cili më pas do të marrë pozitën e kryeministrit të shtetit.

Theresa May, ka njoftuar javën e kaluar se më 7 qershor do të largohet nga pozita e lideres së Partisë Konservatore në Britani, duke i hapur rrugë procesit të zgjedhjes së kryeministrit të ri.

Ajo do të luajë rolin e kryeministres derisa të zgjedhet lideri i ri, proces që mund të zgjasë disa javë.

May është përballur me presion të madh nga partia e saj për t’u larguar nga pozita që ka, pasi plani i saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian ka dështuar të miratohet në Parlamentin britanik.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

evn