Borisov: Marrëveshja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është shembull për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore

Marrëveshja për miqësi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është shembull për ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, theksoi kryetari i Qeverisë bullgare, Bojko Borisov, në takimin e sotëm me kryeministrin Zoran Zaev, të mbajtur në margjina të Samitit të vendeve nga Ballkani Perëndimor që po mbahet në qytetin polak, Poznanj, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Marketing

“Shtetet nga Ballkani Perëndimor duhet të bëjnë përpjekje maksimale për zhvillim të marrëdhënieve me fqinjët e tyre nga BE-ja. Pa dyshim, një nga shembujt më të mirë për atë është marrëveshja mes Sofjes dhe Shkupit që e hapi mundësinë për hapje të negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Union”, tha Borisov.

Dy kryeministrat biseduan për marrëdhëniet bilaterale dhe për sfidat me të cilat përballen dy vendet. Zaev dhe Borisov u dakorduan se Marrëveshja për miqësi dhe fqinjësi të mirë i dhanë nxitje të madhe zhvillimit të partneritetit mes dy vendeve, transmeton BGNES.

Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se pa lidershipin e Borisovit, nuk do të ishte e mundshme Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Ai e ftoi Borisovin së bashku ta shënojnë përvjetorin e dytë të nënshkrimit të saj më 1 gusht dhe së bashku të përkulen para përmendores së Goce Dellçevit.

Borisov foli edhe për punën e Komisionit të përzier për çështje historike. Theksoi se pala bullgare që prej vitit 1992 insiston “për paraqitje objektive të fakteve historike”.
Ai paralajmëroi se do të ektë takim me Pendarovskin javën e ardhshme në Sarajevë, në takimin e APEJL-së.

Kryeministri Zaev e informoi Borisovin se është miratuar vendosja e përmendores së kolonelit Konstantin Kavarnaliev në Dojran. Zaev pret që gjatë tetorit dy vendet, bashkarisht, në nivel më të lartë ta shënojnë 1005-vjetorin e vdekjes së Mbretit Samoil. Gjatë takimit, dy kryeministrat u dakorduan se kjo është dëshmi për përmbushje efikase të angazhimeve të ndërmarra nga ana e qeverive përmes Protokollit të 10 qershorit, të nënshkruar gjatë takimit të parë të Komisionit ndërqeveritar. (koha.mk)

Marketing