Borisov: Nuk mund të bëhem tradhëtar i Bullgarisë, më falni që ju quajta maqedono-verior; Zaev: Do ta zgjidhim çështjet e Goce Dellçev

Sot pas takimit mes dy kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, që të dy u ndalën për konferencë për media

Marketing

Të dy kryeministrat theksuan bashkëpunimin mes dy vendeve, folën për atë se kujt i përket heroi Goce Dellçev, eurointegrimet e vendit e shumë gjëra tjera.

Sa i përket historisë, Borisov theksoi se është koha që t’i jepen fund konflikteve lidhur me historinë. Borisov thotë se të gjithë heronjtë kanë luftuar për një qëllim dhe shpreson se historianët do të investojnë përpjekje të mëdha që të zgjidhen çështjet historike. Ai thotë se nuk dëshiron të mendojë se shteti i tij do t’i bllokojë integrimet e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“As nuk dua të mendoj se mund të vijë deri te ajo pikë, Bullgaria të pengojë Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në NATO. Është e palejueshme që unë të ngritë dorë kundër Maqedonisë së Veriut. Ne të lejojmë të bllokohet Maqedonia? As nuk dua ta mendoj këtë gjë. Nëse them “po do të votoj kundër”, atëherë edhe kolegu duhet të thotë “mirë atëherë edhe ne do të jemi kundër”, theksoi Borisov.

Borisov është decid se deri në tetor do të zgjidhet ajo se hero i kujt është Goce Dellçev, por potencoi se edhe ai ka kufij dhe nuk dëshiron të bëhet tradhëtar i Bullgarisë.

“Të gjithë heronjtë për të cilët flasim, kanë luftuar që ne të jemi këtu së bashku. Ata kanë luftuar që të kemi autonomi, të kemi paqe. Shpresoj se historianët, jo vetëm që nuk do të pengojnë por edhe do të bëjnë përpjekje të mëdha që të gjejnë historinë e drejtë, që do të na bashkojë që së bashku të mund t’u nënshtrohemi varrezave. Këta njerëz kanë dhënë jetën e tyre dhe kanë patur një qëllim. Komisionet duhet të ulen dhe të kuptojnë se kanë detyrë historike dhe deri në tetor të zgjidhen këto tema. Edhe unë kam disa kufij, sepse do të bëhesha tradhëtar në Bullgari”, shtoi Borisov.

Borisov gjithashtu kërkoi falje që në një prej pres-konferencave të tij, maqedonasit i quajti maqedono-verior. Ai tha se këtë e ka thënë gabimisht dhe pa dashje.

“IShte gabimi im që ju quajta maqedono-verior, kërkoj falje. Qytetarë të Maqedonisë së Veriut, më falni por unë pa dashje e thashë atë dhe kjo u bë sikur unë kam dashur të vras dikë. Nuk dua të hiqet ndonjë fjali nga konteksti”, tha Borisov duke përsëritur vazhdimisht se ka gabuar.

Nga ana tjetër kryeministri i vendit Zoran Zaev sa i përket Goce Dellçevit, tha se deri tani kanë zgjidhur çështjet për katër figura historike, dhe të njejtën do ta bëjnë edhe për Dellçevin.

Kemi zgjidhur çështjet për katër figura historike të cilët së bashku i nderojmë. Njejtë mendoj se do të gjejmë zgjidhje edhe për Goce Dellçev. Jam i bindur se veprat e Dellçev mund vetëm të na lidhin. Do të ndërtojmë miqësi dhe fqinjësi të mirë, sepse këtë ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme”, tha Zaev.

Zaev më tej shtoi se deri vitin e ardhshëm, ai së bashku me Borisov do të presin të gjithë kryeministrat e procesit të Berlinit.

“Në shënimin e dyvjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë ne po flasim për bashkëpunim. Deri vitin tjetër, unë dhe kolegu im Borisov, së bashku do të presim të gjithë kryeministrat nga procesi i Berlinit. Efektet për lidhjen janë të gjithë qytetarët nga dy vendet. Bizneset përforcojnë miqësinë tonë. Nga kompani bullgari kanë hyrë 30.5 milion euro, pas nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Zaev.

Zaev më tej tha se ashtu sikurse në të kaluarën, edhe më tej do të vazhdojnë që të zgjidhin të gjitha paragjykimet së bashku./Zhurnal.mk

Marketing