BORXHI PUBLIK NË RAJON. Kryesojnë Mali i Zi dhe Shqipëria

Mali i Zi i me 67 për qind të borxhit publik, si pjesë e PBB-së dhe Shqipëria me 66.3 për qind të borxhit publik si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto , u renditën nga Komisioni Evropian me borxhin publik më të lartë në rajon për vitin 2018, në raportin periodik për zhvillimet ekonomike në vendet e zgjerimit të lëshuar së fundmi. Të dhënat e Komisionit Evropian tregojnë për një rënie mbresëlënëse të borxhit publik në Serbi i cili pritet të arrijnë në 56.4 për qind në fund të vitit 2018 nga më shumë se 86 për qind në vitin 2014, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Serbia e cila kryesonte rajonin për nivelin më të lartë të borxhit publik tashmë pozicionohet e treta, teksa Mali i zi dhe Shqipëria dhe Mali i Zi renditjen të parat. Borxhi i Malit të Zi është rritur ndjeshëm vitet e fundit për shkak të angazhimeve që kanë marrë autoritetet atje për të ndërtuar një autostradë që i lidh me Serbinë me një vlerë rreth 900 milionë euro financime kineze.

BORXHI PUBLIK NË VEND ËSHTË STABILIZUAR

Në vendet e tjera të rajonit borxhi publik është në kufirin 60 për qind, të cilin Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron shqetësues. Maqedonia e mbyll vitin 2018 me një borxh që është nën 50 për qind të PBB-së, ndërsa Bosnja e Hercegovina ka borxh prej 35 për qind si pjesë e PBB-së. Ndërsa Kosova, duke qenë se është një shtet i ri, ka ende shumë hapësirë për të konsumuar borxhin publik i cili është 16.6 për qind e PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se borxhi i publik i Kosovës mund të rritet deri në 40 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Kjo rritje, sipas Fondit Monetar mund të bëhet pas huas që Kosova dhe kompania amerikane Contour Global pritet të marrë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Nëse i kthehemi realitetit ekonomik në vend, nga Ministria e Financave të Maqedonisë thonë se borxhi publik në shtet me masa të ndryshme po stabilizohet. Njëherazi me ndryshimet ligjore do të rritet edhe më tej llogaridhënia për borxhin publik, ndërsa në përllogaritjen e borxhit publik do të hyjë edhe borxhi jo i garantuar ku hyjnë borxhet e ndërmarrjeve publike, konform rekomandimeve të institucioneve relevante ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar , Banka Botërore dhe Komisioni Evropian.

“Borxhi publik në vend është stabilizuar që e tregojnë edhe të dhënat se në fund të vitit 2016, vlera e tij ishte 48.8 për qind e PBB-së, ndërsa në fund të vitit 2018, vlera e tij ishte 48.7 për qind e PBB-së. Sa për krahasim vlera e tij është rritur me ritëm shumë të madh përgjatë periudhës 2008-2016, prej 23.3 për qind në 48.8 për qind. Për të stabilizuar borxhin publik janë ndërmarrë më shumë masa . Janë ndërmarrë edhe aktivitete përmirësimin e kredibilitetit që do të sjellë edhe më shumë të investitorëve “, thotë numri një i financave në vend, Dragan Tevdovski. Sipas tij, në këtë drejtim janë zvogëluar ankandet e letrave shtetërore me vlerë nga tre apo katër në muaj në dy, në 18 muajt e fundit, ndërsa eurobondi i lëshuar në vitin e kaluar ka pasur një vlerë historikisht të ulët prej 2.75 për qind të kamatës në raport me eurobondet e tjera që kanë pasur kamatë , prej 4 deri në 10 për qind.

HARXHIMI JOPRODUKTIV I TË HOLLAVE PUBLIKE

Nga ana tjetër ekonomistët thonë se problemi kryesor nuk është lartësia e borxhit prej afër pesë miliardë euro apo më shumë se pesë miliardë euro, që është afër 50 për qind të PBB-së.

Ata si dukuri e problematizojnë faktin e harxhimit joproduktiv të të hollave publike dhe rritjes së madhe të borxhit që nuk ka sjellë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Maqedonia në periudhën e kaluar shënon rritje mesatare ekonomike prej vetëm tre për qind në mesatare, përkundër rritjes së madhe të borxhit publik. Statistikat zyrtare tregojnë se në periudhën 2010-2015 shënohet rritje e madhe e borxhit publik për 2.3 miliardë euro nga njëra anë, dhe rritje në mesatare ekonomike prej vetëm tre për qind në vit, nëse merret parasysh rritje ekonomike e përgjithshme prej vetëm 15 për qind në vitet e kaluara. Kjo do të thotë se dinamika e madhe e huazimit shtetëror në pesë vitet e fundit prej 1.9 miliardë euro në 4.2 miliardë euro nuk ndiqet me dinamikën më të madhe të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto si tregues i përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve. Ekonomistët dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit thonë se një pjesë e madhe e huamarrjes ka shkuar në paga, pensione dhe transfere sociale etj , dhe më pak në projekte produktive që do të ndikojnë në fuqinë e ekonomisë së shtetit që nesër të mos ketë probleme me kthimin e borxheve.

Ndryshe, në të ardhmen Maqedonia do të formojë edhe Këshillin Fiskal. Mbase jemi një nga shtetet e rralla që i mungon një trup i tillë. Detyra e këshillit fiskal është të kontrollojë harxhimin e të hollave buxhetore dhe nivelin e borxhit publik. Gjithashtu, detyra e tij do të jetë të ofrojë mendim të pavarur lidhur me politikat për harxhimin e të hollave publike. (koha.mk)

Marketing