Boshkoviq: Nëse ndërhyn Rusia, Maqedonia di si të përballet

Pas Shqipërisë, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO pritet ta ratifikojë Kuvendi i Bullgarisë. Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, në ditën e dytë të takimit të Ministrave në Këshillin Veri-atlantik, kolegëve të saj u ka kërkuar ratifikim sa më të shpejtë të protokollit.

Marketing

“Kërkova edhe nga kolegët e mi Ministra të Mbrojtjes të stimulojnë dhe lobojnë për proces më të shpejtë të ratifikimit të protokollit për zgjerim që shteti ynë të mund t’i ketë të gjitha privilegjet e anëtarësimit të plotë. Kjo është mundësi për të gjithë ne, është hap plus për siguri të plotë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë”, u shpreh Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut.

Në rast të ndonjë përpjekje ruse për t’ia ndalë rrugën anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO, Ministri malazez i Mbrojtjes tha se institucionet e vendit do të dinë se si të luftojnë ndikimet.

“Vetëm mund të them se jam i bindur se institucionet maqedonase dinë ta bëjnë punën dhe të luftojnë ndaj të gjitha ndikimeve të mundshme. Mali i Zi ia doli, nuk shoh se pse Maqedonia nuk do t’ia dilte mbanë. Aderimi i Maqedonisë në NATO është proces i pakthyeshëm dhe do të sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe sërish të jetë në udhërrëfyes se si me vullnet të mirë dhe vizion mund të bëhet një projekt me të vërtetë i mirë”, tha Predrag Boshkoviq, Ministër i Mbrojtjes i Malit të Zi.

Ministrja Shekerinska sot u takua edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogerini. Pas takimit Ministrja e Mbrojtjes tha se është e bindur se Maqedonia e Veriut meriton fillim real të bisedimeve për anëtarësim në BE dhe se është e bindur se shtete anëtare do t’i shohin ndryshimet që janë bërë në vend.

Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes u fol edhe për traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, e që NATO konsideron se Rusia po shkelë këtë traktat duke vendosur raketa të reja, vështirë për t’u zbuluar, të lëvizshme dhe që mund t’i arrijnë qytetet evropiane, gjë që përbën shqetësim për Aleancën.

“Çështje tjetër për të cilën disa shtete anëtare të NATO-s kanë kritika, është shndërrimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri si dhe vendosja e taksës së Kosovës prej 100% ndaj Serbisë. Me këto nuk pajtohet as i pari i NATO-s Jens Stoltenberg i cili paralajmëroi se deri në pranverë Aleanca do të marr vendimin për nivelin e angazhimit dhe bashkëpunimit të NATO-s me FSK-në”.

Marketing