Qeveria për momentin nuk konfirmon se kryeministri Zoran Zaev do të ketë takim bilateral me kolegun e tij grek Aleksis Cipras në margjinat e Samitit për vendet e Ballkanit Perëndimor që javën e ardhshme do të mbahet në Londër.

“Javën e ardhshme udhëtojmë për në Samitin e Londrës dhe në Samitin e NATO-s në Bruksel. Në qoftë se në margjinat e dy prej këtyre samiteve ka takim të dy kryeministrave do ta informojmë opinionin”, tha në pres konferencën e sotme zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski.

Ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve theksoi se nuk ka bisedime për ndryshimin e himnit, e as të disa prej simboleve shtetërore të Maqedonisë.

“Në përgjithësi, as në të kaluarën, as sot, e as në të ardhmen nuk do të bisedohet për ndryshim të himnit të Republikës së Maqedonisë. Ai mbetet ashtu siç është”, tha zëdhënësi i qeverisë.

Ai shtoi se nuk ka bisedime as për simbolet e tjera, e as për diçka tjetër jashtë asaj që ishte thënë.