Botime me vlerë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhuratë për AZGJ-në

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, z. Ylber Sela priti sot
prof. dr. Valter Memishën, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të
Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), si dhe kryetar i
Komisionit të Përhershëm të Gjuhës dhe të Letërsisë në Akademinë e
Shkencave të Shqipërisë, i cili, ditëve në vijim, është njëri nga
ligjëruesit në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të administratës
shtetërore.

Marketing

Gjatë takimit të përzemërt, drejtori Sela dhe prof. dr. Valter Memisha
folën për shumë probleme të gjuhësisë dhe të përdorimit të gjuhës
shqipe, të folur dhe të shkruar, në të gjitha fushat, mes tjerash edhe
në administratën shtetërore. Me këtë rast, mysafiri nga Tirana i dhuroi
Agjencisë botimet leksikografike të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, të viteve të fundit: Fjalorin e gjuhës shqipe, 2006, me
48.000 fjalë, me 5000 njësi frazeologjike dhe 120.000 kuptime; Fjalorin e gjuhës shqipe, 2020, me 35.000 fjalë dhe 3000 njësi frazeologjike, një
vepër që i kushtohet së shumti ligjërimit të shkollarëve të sistemit
parauniversitar, por edhe ligjërimit studentor; Fjalorin e gjuhës shqipe
të Aleksandër Xhuvanit, një vepër e përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë
dhe i Letërsisë, në bazë të fjalëve dhe të kuptimeve që kishte mbledhur
dhe regjistruar profesor Xhuvani gjatë jetës së tij, por që nuk mundi
t’i përpunonte leksikografsht dhe të hartonte një fjalor. Vepra ka
17.000 fjalë dhe 1500 njësi frazeologjike.

Po kështu, prof. dr. Memisha i dhuroi Agjencisë edhe Gramatikën
historike të gjuhës shqipe të akademikut Kolec Topalli, e cila ecën në
linjën e Gramatikës historike, të hartuar nga akademiku Shaban Demiraj,
por që sjell dhe prurje të reja që e pasurojnë këndvështrimin shkencor,
si dhe risi në studimet e strukturës gramatikore të shqipes në
zhvillimin e saj historik.

Dhuratë me vlerë janë edhe veprat e akademikut Jani Thomai, “Studime për
gjuhën shqipe”, në pesë vëllime, ku janë përfshirë artikuj studimorë që
i përkasin leksikologjisë, semantikës leksikore, leksikografisë,
dialektologjisë, kulturës së gjuhës etj.

Marketing