Brexit, Britania: BE të rinegociojë, ose dalim pa marrëveshje

Qeveria e re britanike ka paralajmëruar Brukselin që të rinegociojë marrëveshjen e Breksit, ndryshe do të përballet me daljen e Mbretërisë së Bashkuar pa një marrëveshje. Sipas Londrës zyrtare, zgjedhjet evropiane të muajit Maj kanë sjellë një realitet të ri politik dhe rinegocimi është i nevojshëm.

Marketing

Liderët e BE-së duhet t’i japin kryenegociatorit të tyre mandat për të rishikuar marrëveshjen e tërheqjes së Britanisë së Madhe, ndryshe ajo do të dalë nga Unioni pa një marrëveshje. Paralajmërimi është bërë nga sekretari britanik për Brexit. Në një shkrim të publikuar në “Mail on Sunday”, Stefen Berklej është shprehur se realiteti politik ka ndryshuar pas zgjedhjeve evropiane të mbajtura në muajin maj.

Sipas tij, 61 për qind e vendeve në Parlamentin Europian u zunë nga elementë të rinj, gjë që përbën një “ndryshim thelbësor”. Berklej i ka bërë thirrje liderëve evropianë që të lejojnë Mishel Barnier të negociojë në mënyrë që BE dhe Mbretëria e Bashkuar të gjejnë terren të përbashkët. Brukseli ka insistuar vazhdimisht se marrëveshja e tërheqjes nuk mund të rinegociohet, por sipas sekretarit britanik, me ndryshimet që ndodhën në PE, Unioni duhet ta alternojë qasjen e tij.

“Zoti Barnier duhet t’u bëjë thirrje liderëve të BE-së që të marrin në konsideratë faktin se, nëse edhe ata duan një marrëveshje, atëherë duhet të negociojnë. Ndryshe, e vetmja rrugë mbetet dalja pa marrëveshje”, ka deklaruar Berklej. Kryeministri i ri britanik, Boris Xhonson i ka mëshuar vazhdimisht dëshirës së tij për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja më 31 tetor, në kuadër të zotimit të tij të quajtur “bëje ose vdis”.

Marketing