Vetëm 48 orë pasi u përfshi në një aksident rrugor pranë Sandringhamit në Norfolk, policia e këtij rajoni njofton se i ka tërhequr vëmendjen Dukës së Edinburgut, pasi është kapur nga kamerat e sigurisë teksa drejtonte mjetin pa rripin e sigurisë.

Një zëdhënëse e policisë së Norfolkut tha se “drejtuesit të mjetit i ishin dhënë udhëzimet e përshtatshme”.
Megjithatë, Emma Fairëeather, e cila theu dorën gjatë aksidentit të së enjtes, është shprehur për tabloidin “Mirror” se Duka nuk ka kërkuar aspak ndjesë.

Një zëdhënës mbretëror, gjithsesi e hodhi poshtë këtë, duke thënë se janë bërë kontaktet e nevojshme me pjesëtarët e automjetit tjetër për të shkëmbyer “urimet dashamirëse”.

Përplasja në Sandringham, ku “Land Roveri” i Princit Philip u anua, ndodhi të enjten, ndërsa dy ditë më vonë, pamje të publikuara nga “Daily Mail” dhe “The Sun” tregojnë Dukën 97-vjeçar teksa drejton i vetëm mjetin e ri “Land Rover”, pa vendosur rripin e sigurisë.

Zëdhënësja e rajonit policor të Norfolkut thotë se efektivët kanë qenë në dijeni të fotografive dhe kanë komunikuar me drejtuesin e mjetit.

“Reagimi ynë ka qenë në linjë me përgjigjen standarde, me t’u vënë në dijeni të imazheve të tilla, që tregojnë një shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, tha ajo.