Britania po largohet nga BE, por jo nga Evropa

Nga Malcolm Rifkind

Marketing

Në politikën britanike, asgjë nuk ka qenë më e njëjtë që nga referendimi i vitit 2016 pro largimit nga Bashkimi Evropian. Udhëheqja jonë politike, është e përçarë mbi mënyrën se si duhet të zbatojë Brexit-in, dhe aktualisht po përballemi me një nivel të pashembullt pasigurie, mbi të ardhmen e vendit tonë.

Megjithatë një gjë nuk ka ndryshuar, dhe kjo na jep një ide mbi mënyrën se si do të vazhdojmë të jemi të lidhur me Evropën. Britania, është dhe do të mbetet një fuqi evropiane. Interesat tona gjeopolitike nuk kanë ndryshuar me vendimin tonë për të dalë nga BE, dhe ne duhet ta kthejmë vëmendjen tonë, tek mënyrat se si vazhdojmë të mbajmë lidhjet me fqinjët tanë evropianë pas Brexit.

Për shekuj me radhë, Britania ka qëndruar përkrah qeverive të tjera evropiane, duke iu rezistuar përpjekjeve të përsëritura, për të ndryshuar balancën e pushtetit në Evropë. Pavarësisht nëse agresori ishte Luigji XIV, Napoleoni, Kajzeri ose Adolf Hitler, ne u rezistuam sulmeve të tyre, për të mbetur neutralë në ishullin tonë, dhe udhëhoqëm rezistencën e armatosur që në fund i mposhti ata.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Mbretëria e Bashkuar ishte një nga mbështetëset më të vendosura të solidaritetit evropian dhe perëndimor kundër Bashkimit Sovjetik. Kohët e fundit, bashkëpunimi në politikën e jashtme, ka qenë një nga të paktat fusha ku Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë shumë dakord me Brukselin.

Britania, Gjermania dhe Franca, e kanë pasur shpesh shumë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët, për të folur me një zë të vetëm me Uashingtonin dhe botën. Sot, nevoja që Evropa të ketë një qëndrim të përbashkët mbi çështjet strategjike, është më e rëndësishme se kurrë më parë.

Fuqia dhe ndikimi i kontinentit po bie, teksa Kina, Rusia dhe India i janë bashkuar SHBA-së si lojtare të fuqishme në skenën botërore.

Për herë të parë që nga shekulli XVIII-të, Evropa rrezikon të mbetet një fuqi periferike dhe e margjinalizuar, në raport me çështjet kryesore. Pavarësisht daljes së saj nga projekti evropian, Britania është e vendosur të garantojë rëndësinë e Evropës në skenën botërore.

Edhe gjatë negociatave të pasuksesshme të Brexit – kur Britania dhe pjesa tjetër e Evropës nuk ranë dakord mbi shumë gjëra – të dyja palët kanë punuar ngushtësisht mbi çështjet e politikës së jashtme. Londra është rreshtuar me Berlinin dhe Parisin – dhe jo Shtëpinë e Bardhë – mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit, ndryshimin e klimës, tregtinë e lirë, dhe kundërshtimin e zhvendosjes së ambasadave perëndimore nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Ndërkohë, Londra mbështet qëndrimin e partnerëve evropianë, se qeveritë nuk duhet të jenë më të sjellshme ndaj diktatorëve, sesa aleatëve tanë demokratikë perëndimorë. Franca dhe Gjermania, e dinë se që Evropa të ketë politika efektive me një ndikim maksimal në lidhje me Rusinë, Kinën dhe rajonet e tjera, blloku duhet të punojë ngushtësisht me Britaninë e Madhe – edhe pasi Londra të mos jetë më pjesë e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE, dhe kur të humbasë fuqinë e saj të vetos ndaj nismave të BE-së.

Mënyra më e mirë për të punuar së bashku këto çështje strategjike të rëndësishme, do të jetë krijimi i një formati BE+1 që të lejojë liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë të takohen me njëri-tjetrin, dhe nëse është e mundur, të dalin me qëndrime të përbashkëta mbi çështjet kryesore të politikës së jashtme.

Aty ku mund të gjejmë dot një qasje të përbashkët, ne do të jemi më të fortë në raport me të. Aty ku nuk mundemi, do të jemi të lirë të ndjekë secili rrugën e vet. Për këtë lloj bashkëpunimi, ekzistojnë precedentë të mirë:grupimi P5+1, 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë, që u formua për të zhvilluar negociatat me Iranin, lidhur me programin e tij bërthamor.

Gjermania u shtua në këtë grup, pasi anëtarët e tjerë e kuptuan se forca ekonomike dhe politike e Berlinit, do të ishte vendimtare për ta bindur Iranin mbi nevojën e kompromiseve. Po ashtu, kur gjenerali francez Sharl de Gol kërcënoi ta nxirrte vendin e tij nga NATO-s pasi vendi i tij nuk mund të merrte pjesë në Strukturën e Integruar Ushtarake të Aleancës nën komandën amerikane, u arrit një marrëveshje fleksibël, për të ndryshuar rregullat, dhe për të vazhduar qëndrimin e Francës si anëtare e aleancës.

Diplomacia, ka qenë gjithnjë e lidhur me fleksibilitetin dhe kompromisin, në garatimin e sigurisë apo ruajtjen e interesave jetike kombëtare. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në fund me Brexit, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të kenë nevojë për njëra-tjetrën.

NATO – me pjesëmarrjen e plotë të amerikaneve – do të mbetet partneriteti më i ngushtë i Britanisë, dhe do të ndihmojë në sigurimin e aftësisë ushtarake për të penguar çdo lloj agresioni.

Por Shtetet e Bashkuara, nuk janë partneri i vetëm që na nevojitet.

Në fakt, Uashingtoni dhe Londra janë rivale në fushën e tregtisë, dhe kanë pikëpamjet e tyre të ndryshme kur bëhet fjalë për Iranin, Kinën, Lindjen e Mesme dhe ndryshimet klimatike. Britania ka nevojë për Evropën. Dhe Evropa ka nevojë për Britaninë. Brexit nuk kërkon në asnjë pikë të tij, braktisjen e këtij bashkëpunimi.

Shënim: Malcolm Rifkind, ka qënë Ministër i Mbrojtjes, dhe më pas Ministër i Jashtëm i Britanisë në vitet 1992-1997. Ai është profesor në departamentin e studimeve të luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

“Politico.eu” – Bota.al

Marketing