Britanikët fikin televizorët, kritikojnë mbulimin e gjerë mediatik të vdekjes së Princit Philip

Të premten një numër rekord britanikësh fikën televizorët, dukshëm të irrituar me mbulimin e gjerë mediatik të vdekjes së Princit Philip, bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeth.

Transmetuesi publik televiziv BBC, i cili financohet me paratë e taksapaguesve, “u përmbyt” nga ankesat e shumta saqë u detyrua të krijonte një segment dedikuar ankesave në faqen e tij të internet, ku teleshikuesit “zbraznin” acarimin rreth shtyrjes së emisioneve të preferuara televizive, mes tyre episodin e fundit të një konkursi popullor gatimi.

Marketing

Në një postim në twitter autori i njohur i librave mbi historinë antike Romake dhe Greke Tom Holland shprehte irritimin e tij mbi homazhet e regjistruara paraprakisht për princin Filipin dhe dokumentarët për familjen mbretërore. Por ai nuk ishte i vetmi.

Ish-prezantuesi i BBC-së Simon McCoy ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi shkallën e mbulimit, duke shkruar në Twitter: “E di që kjo është një ngjarje e madhe. Por publiku meriton të ketë një zgjedhje programore”.

Ish-ministri Chris Mullin e quajti mbulimin “në stilin e Koresë së Veriut” dhe një “gabim të madh”.

BBC tha se vendimi për të transmetuar në shumë kanale për 24 orë u mor për të shënuar “jetën dhe shërbimin e jashtëzakonshëm publik” të Princit Philip. Ky i fundit, një ish-oficer i marinës i cili u shqua për shërbimin e tij në Luftën e Dytë Botërore, është vlerësuar gjerësisht se ka ndihmuar në modernizimin dhe udhëheqjen e familjes mbretërore.

Por publiku britanik i fiku televizorët. Shifrat që masin audiencën tronditën drejtuesit e televizioneve, si dhe BBC-në, duke regjistruar një rënie të madhe.

BBC shënoi një rënie prej 64% të audiencës së saj krahasuar me të premten e kaluar. ITV, konkurrenti kryesor tokësor komercial, pësoi një rënie prej 60% të audiencës normale për një të premte.

Komentuesit vunë në dukje se 40 vite më parë, dasma e Princit Charles dhe bashkëshortes së tij Diana Spencer tërhoqi 30 milionë teleshikues britanikë, ndërsa dokumentari i BBC-së të premten e kaluar mbi jetën e Princit Filip, prezantuar nga gazetari popullor Andrew Marr, tërhoqi vetëm 2 milionë teleshikues.

Opinioni është i ndarë lidhur me arsyet rreth kësaj rënie të shikueshmërisë. Disa vëzhgues sugjerojnë se kjo është shenjë e zvogëlimit të afeksionit publik për familjen mbretërore, e cila është përfshirë nga skandalet gjatë viteve të fundit. Të tjerë thonë se kjo ka të bëjë me një ndarje brezash, me britanikët e moshuar që identifikohen me një princ i cili i cili shërbeu në Luftën e Dytë Botërore.

Disa komentatorë dhe politikanë fajësuan mbulimin e tepërt mediatik. Të tjerët thonë se raportimi ishte i neveritshëm, një qëndrim që u kritikua nga ish-ministri konservator Alastair Burt. Ai tha se BBC, në veçanti, kishte arritur të kryente një mbulim të përsosur.

“BBC e ka kuptuar mirë gjendjen e publiku i është përgjigjur”, shkruante zoti Burt të hënën për revistën The Article, që publikohet në internet.

Ai vlerësonte BBC-në për mbledhjen nga britanikët e zakonshëm të historive dhe anekdotave rreth Princit Philip, i cili u nda nga jeta rreth dy muaj përpara se të mbushte 100 vjeç.

“Të gjitha këto krijuan një mozaik prekës të mbretërisë së sotme”, tha zoti Burt.

Sidoqoftë, audienca në rënie sugjeron se shumë britanikë e gjetën “mozaikun” jo shumë bindës. Një përdorues i mediave sociale vinte në dukje se “mbulimi nga çdo kanal është i bezdisshëm dhe i panevojshëm. Ka edhe lajme të tjera të rëndësishme. Do të vija bast që edhe vetë Princi Philip nuk do ta kishte dashur një bujë të tillë!”./VOA

Marketing