Bruksel, vazhdojnë bisedimet Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zotuan se do t’i japin prioritetin më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja. Hoti dhe Vuçiq përballen sot në një rreth të ri të bisedimeve në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Javën e kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Ai është ndërmjetësuar vazhdimisht nga BE-ja dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Të dielën, Hoti ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë arrihet vetëm kur të ketë njohje reciproke.

Marketing