Për një vit Maqedonia ka bërë një hap serioz për ardhmërinë e saj euroatlantike, deklaroi profesori Vllado Buçkovski, ish-kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes në emisionin “Bota është biznes” të televizionit bullgar “Blumberg”.

“Referendumi për emrin është një moment historik për Maqedoninë, drejtuar drejt zgjedhjes për aderim në BE-së. Për fat të keq, marrëveshja me Greqinë ishte zgjidhja e vetme e mundshme që ta hapim derën e BE-së. Është e qartë se mbi 700 mijë qytetarë të Maqedonisë do të votojnë “për”, por për momentin nuk dihet se a do të bashkohen ata të cilët janë kundër”, thotë Buçkovski.

Ai pajtohet se referendumi aktual është vazhdimësi i atij të vitit 1991.

“Atëherë luftonim për pavarësi, sot luftojmë që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. Do ta konfirmojmë shtetësinë tonë”, është decid Buçkovski.

Sipas vlerësimit të tij, të dhënë në emision, për momentin në Maqedoni ka nga 1.300.000 deri në 1.350.000 votues. Nga ana tjetër, 250.000 deri në 300.000 janë votues të papërcaktuar të cilët nuk besojnë në politikanët dhe sipas gjitha gjasave nuk kishin votuar në zgjedhjet e fundit.

“Besoj se fushata momentale do t’i inkurajojë që të dalin në votim”, tha ish-kryeministri i Maqedonisë.

Sipas tij, në këtë moment emri Republika Veriore e Maqedonisë është kompromisi që ka dalë vetëm logjikisht i mundur.

“Nëse referendumi nuk ka sukses nuk do të shpërbehemi, por Maqedonia do të fillojë të kalbet e vetme e izoluar. Gjithnjë e më shumë të rinj do ta braktisin Maqedoninë dhe nuk do të jemi atraktiv për investitorët. Ky referendum është i rëndësishëm duke pas parasysh atë që po ndodh në Shqipëri, Rumani, Bullgari, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së. Ky është më shumë se një referendum i thjeshtë. Kjo është mundësi e veçantë”, thotë Vllado Buçkovski në intervistën për TV bullgar “Blumberg”.