Bujar Osmani: Morina duhet urgjentisht të lirohet

Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve sot ka deklaruar se personalisht nga dita e parë është angazhuar për lirimin e Tomor Morinës, ish pjesëtar i UÇK-së i cili është arrestuar para pesë ditësh në vendkalimin kufitar Bllacë me urdhërarrest nga selia e Interpolit në Lion.

Marketing

“Pres përgjigje, kam dorëzuar kërkesë zyrtare deri te gjykatësja e cila e zbaton procedurën të më lejojë ta vizitojë. Gjatë ditës së sotme do t’i drejtohem institucionit ta vizitojë pasi është e qartë se nuk ka koordinim mes avokatit të tij, kërkesës për ekstradim etj…”, ka thënë Osmani duke shtuar se e dhimbshme është se pas 20 vitesh nga konflikti njerëzit ende mbahen dhe arrestohen për konfliktin.

Me faktin se urdhërarresti është dhënë nga selia e Interpolit në Lion, thekson se gjyqësia në vend duhet t’i kalojë procedurat e nevojshme gjyqësore derisa Ministria e Drejtësisë sjell vendim për mosekstradimin e Morinës.

“Deri në këtë moment informacionet tona janë se ende nuk është dorëzuar kërkesë nga ana e avokatit deri te Ministria e Drejtësisë. Çdo ditë kontaktojmë me ministren e Drejtësisë”, ka thënë Osmani.

Ka shtuar se në kësi situata, aq sa mundet politika të ndikojë, tha se “bëjmë gjithçka që është e mundur dhe se urgjentisht duhet të lirohet Morina”.

Në pyetjen e gazetarëve në çfarë cilësie do ta vizitojë Morinën, zëvendëskryeministri Osmani është përgjigjur se nuk bëhet presion mbi gjyqësinë, por tha se “e dhimbshme është që ndodhi ky rast pasi ndikon në raportet mes neve dhe Republikës së Kosovës”.

“Urdhërarresti është për qytetar serb, ndërsa ne nuk i njohim ata njerëz si qytetarë serb, por ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës, shtet me të cilin ne kemi bashkëpunim. Kjo është e pakuptimtë. Këtë herë është specifike që urdhërarresti nuk është përmes bashkëpunimit bilateral përmes Interpolit serb, por përmes qendrës së Interpolit në Lion dhe prandaj shteti jonë duhet të veprojë sipas të njëjtave procedura. Presioni jonë është mbi Ministrinë e Drejtësisë ta përshpejtojë procedurën. Vizita ime është si mik i Republikës së Kosovës dhe si përfaqësues i qeverisë që është mik i Kosovës që të jepet porosi se kjo çështje patjetër në mënyrë sistemore të zgjidhet dhe të mos ndodhë për konfliktin më 1999 ne të futemi në ato marrëdhënie mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas tij edhe në pres konferencën e sotme ku duhej të merr pjesë ambasadorja serbe dhe të promovohet bashkëpunimi, ka qenë kjo porosi se duam marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, por assesi në llogari të marrëdhënieve të mira me Republikën e Kosovës.

Mediat serbe njoftuan se Ministria e Drejtësisë së Serbisë mëngjesin e sotëm ka dërguar lutje deri te institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut për dërgimin e Morinës.

Marketing