Bunjaku: FC Shkupi I Ndërtuar Për Trofe!

Shkëndijës së Tetovës, që në vitet e fundit vazhdimisht lufton për titullin e kampionit, këtë edicion i është shtuar edhe një konkurrent shumë serioz, FC Shkupi. Skuadra nga Çairi këtë edicion synon titullin e kampionit, por realisht nuk e pret mision i lehtë.

Marketing

Fillimisht “bardhekaltërit” do të duhet të shkrijnë epërsinë prej 6 pikëve të Shkëndijës, skuadër kjo që stinorin vjeshtorë e mbylli me 39 pikë, derisa FC Shkupi me 33 pikë.

Te Shkupi janë bërë ndryshime të mëdha në vitin 2017. Me ardhjen e sponsorëve nga Turqia, forca financiare e Shkupit është rritur dhe janë angazhuar lojtarë cilësorë.

Në tre vitet e fundit klubi nga kryeqendra jonë ka luajtur në ndeshjet e Liga Europa, ndërsa për këtë edicion sipas Drejtorit Sportiv të FC Shkupit, Omer Bunjaku, skuadra e tyre është e ndërtuar për të luftuar për trofe.

Ai e di se realizimi i kësaj ëndrre do të jetë i vështirë pasi pretendent për titullin kampion kanë një super skuadër, si Shkëndija nga Tetova.

“Këtë vit për herë të parë në histori të futbollit të Maqedonisë së Veriut dy ekipe shqiptare janë duke luftuar për titull të kampionit. Do të jetë një garë interesante dhe do të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Ne kemi një skuadër të mirë që besoj se mund të arrijmë gjëra të mëdha”, u shpreh Bunjaku për kosovaren “Koha Net”.

“Është krenari që dy skuadra shqiptare luftojnë për titull. Tregon për nivelin e skuadrave tona. Lart është edhe Struga Trim Lum që garon për vend në Evropë dhe shpresoj se do t’ia arrijë. Po ashtu, shpresoj që edhe Renova sa më shpejtë të sigurojë ekzistencën”, – ka shtuar Bunjaku.

FC Shkupi prej edicionit 2015/16 garon në elitën e futbollit vendor. Fillimisht “bardhekaltërit” nga Çairi ishin renditur në pozitën e 6-të, më pas në vendin e 8-të, dy vite rradhazi kishin përfunduar në pozitën e katërt, ndërkohë edicionin e kaluar e kishin mbyllur në pozitën e 5-të.

Vlen të përmendet se FC Shkupi në tre edicionet e fundit ka prezantuar vendin tonë në garat e Liga Europa, mirëpo duke mos arritur që të shkojnë më larg se raundi i parë.

Marketing