Bushati i mbyll derën Turqisë për FETO-n, kujton rilindasit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Ditmir Bushati, në Tiranë, i kërkoi shtetit shqiptar që të largojë “terroristët turq”, që sipas tij kanë hyrë nëpër institucionet shqiptare.
Kërkesa u referohet anëtarëve të institucioneve të klerikut Fejtullah Gylen, i cili në Turqi është shpallur drejtuesi i organizatës terroriste FETO, pas grushtit të shtetit.

Kërkesës publike të ministrit tukr, ministri shqiptar Ditmir Bushati ju përgjigj duke theksuar se Shqipëria respekton procedurat ndërkombëtare të ekstradimeve.

”Përsa i përket çështjes që ju shtroni, përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por dhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çka ndodhi në Turqi, në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishëm ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë, ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”,-është shprehur Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Të pyetur nëse Turqia ka kushtëzuar praninë e zyrtarëve të saj në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë me shkarkimin e Skënder Bruçjat, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Çavusoglu dhe Bushati mbajtën qëndrime të ndryshme.

Ministri turk iu shmang përgjigjes duke u fokusuar vetëm te investimet turke në xhamitë shqiptare, duke theksuar se “Turqia nuk ka synime të tjera”, ndërsa ministri Bushati i konsideroi spekulime lajmet për shkarkimin e Bruçajt. Gjithsesi theksoi se asnjë vend i huaj, përfshirë Turqinë, nuk mund të përfshihet në çështjet fetare të Shqipërisë.

“Në median shqiptare ka patur lloj-lloj spekulimesh mbi këtë çështje. Në fakt është ai qëndrim i njohur që ka të bëjë me ADN e kombit shqiptar, me parimin e laicitetit që ishte udhërrëfyes i rilindasve tanë, i etërve themelues të shtetit shqiptar dhe do të ishte absurde të mendohej që shteti shqiptar mund të përfshihet në çështjet fetare dhe jo më një vend i huaj apo vend mik, siç është Turqia”, u shpreh Bushati.