Bushati: Maqedonia ka një shans të papërsëritshëm përpara

Qeveria shqiptare do të inkurajojë vijimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë deri në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në një intervistë për gazetën “Panorama” është deklaruar mbi ndodhitë e fundit që po zhvillohen në rajon përfshirë këtu Maqedoninë dhe Kosovën, raportet mes këtyre vendeve etj.

Marketing

Shkupi tashmë po bën përgatitjet e fundit për referendumin e datës 30 shtator, në të cilin populli do të vendosë në lidhje me marrëveshjen e arritur me Greqinë, sipas të cilit fqinji ynë do të quhet “Maqedonia e Veriut”, marrëveshje që duket se i siguron perspektivën euro-atlantike, po si i sheh këto zhvillime Tirana zyrtare në prizmin rajonal.

“Shqipëria ka mbështetur pa asnjë hezitim procesin e dialogut mes Athinës dhe Shkupit dhe në të njëjtën kohë ka nxitur vijimësisht kohezionin e faktorit politik shqiptar për t’u bërë protagonistë të ndryshimeve transformuese, që i mundësojnë Shkupit të përparojë në proceset e anëtarësimit euro-atlantik. Urojmë që në referendumin e 30 shtatorit, qytetarët të mbështesin procesin e paqes së sapofilluar. Fqinji ynë ka një shans të papërsëritshëm përpara. Në këtë proces, roli i shqiptarëve është vendimtar. Stabiliteti demokratik, mirëkuptimi ndëretnik dhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO janë në angazhimeve që burojnë nga ky proces merr një rëndësi të posaçme për vetë Ballkanin Perëndimor, duke e transformuar atë në një hapësirë më të madhe sigurie”, thekson kështu ministri shqiptarë Bushati.

Ndërkohë që dy vjet më parë, qeveria Rama u kritikua jo pak për “ndërhyrje në punët e brendshme” të Maqedonisë, teksa nxiti publikimin e asaj që u njoh ndryshe si “Platforma e Tiranës”, po cili ishte kontributi i Shqipërisë në ndryshimet që pasuan në Maqedoni, ministri për europë dhe punë të jashtme Bushati thotë se qeveria Rama nuk i ka lejuar vetes që të ndërhyjë në punët e brendëshme të vendeve fqinje.

“Në asnjë rast e për asnjë rrethanë, qeveria Rama nuk ia ka lejuar vetes që të ndërhyjë në punët e brendshme të fqinjëve. Ne i kemi trajtuar me parimësi zhvillimet dramatike në Shkup, përkeqësimin e standardeve demokratike dhe tendencën për t’i portretizuar shqiptarët si faktor destruktiv dhe islamistë radikalë gjatë viteve të kaluara. Gjithnjë kemi qenë të interesuar për stabilitetin demokratik dhe prosperitetin e fqinjëve tanë edhe në ditët e tyre më të vështira. Natyrisht, do të vijojmë të punojmë për fuqizimin e kohezionit politik shoqëror të shqiptarëve atje, si garancia themelore për një shtet europian. Me qeverinë Zaev janë hedhur disa hapa përpara në planin dypalësh që mbase nuk imagjinoheshin më parë. Tanimë ekziston edhe një mekanizim i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, i iniciuar në Pogradec, që shqyrton progresin e marrëdhënieve tona si në planin politik, ashtu dhe në lidhje me perspektivën e përbashkët zhvillimore të komuniteteve ndërkufitare, e më gjerësisht qytetarëve tanë. Gjithashtu, na gëzon fakti që klima ndëretnike është përmirësuar, ndonëse nevojitet të sanksionohet në Kushtetutë, e më pas të zbatohet në praktikë koncepti i barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete kryesore shtetformuese. Sigurisht, rolin kryesor në avancimin e statusit e kanë subjektet politike shqiptare dhe vetë shqiptarët. Por ne e konsiderojmë avancimin e statusit të shqiptarëve si një çështje prioritare të interesit kombëtar. Kësisoj, do të vijojmë angazhimin për respektimin e të drejtave dhe identitetit shqiptar atje”, vlerëson kështu mes tjerave në intervistën e tij të fundit, ministri Bushati.

Marketing