Bushi: Shtetësia është lidhje juridike mes jush dhe shtetit dhe nuk e thekson origjinën tuaj etnike

Shkruan: Nazim Bushi, Zv/ministër i punëve të brendshme të RMV-së

Marketing
Në pajtim me Kushtetutën, shtetësia e Republikë së Maqedonisë së Veriut është e rregulluar me ligj dhe nuk mund të revokohet. Ligji me të cilin rregullohet shtetësia është Ligji i shtetësisë i miratuar në vitin 1992, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit të shtetësisë gjatë vitit 2004.
Gjatë vitit 2004 Ligji për shtetësinë u korrigjua në mënyrë retrospektive me qëllim të tejkalimit të problemeve të trashëguara nga ish shteti Jugosllav. Të gjithë qytetarëve që kishin mbetur pa status të rregulluar juridik iu mundësua që në afat prej dy vitesh, në rrethana lehtësuese të ju shqyrtoheshin kërkesat/aplikimet për të marrë shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Unë si zëvendësministër i brendshëm, bashkë me ekipin tim, përkatësisht sektorët përgjegjës rregullisht analizojmë dhe trajtojmë çdo situatë apo problematikë që ndërlidhet me çështjen e shtetësisë. Punohet me kapacitet të plotë për lëndët dhe kërkesat konkrete, prandaj dhe vlerësojmë se nuk ka nevojë për formimin e grupeve të punës apo komisioneve për këtë çështje.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të parashikojë apo vlerësoj mbi vullnetin e asnjë qytetari nëse ai dëshiron të marrë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut derisa ai nuk parashtron kërkesë.
Këto kërkesa tashmë janë në duart e Agjencisë për Siguri Nacionale prej ku dhe pritet mendim pozitiv apo negativ, si një nga kushtet e procedurës për marrjen e shtetësisë. Varësisht prej kërkesës së qytetari që kërkon të pajiset me nënshtetësi, në bazë të cilit nen të Ligjit për shtetësi thirret personi që ka aplikuar, Agjencia për Siguri Nacionale kërkon pëlqim shtesë nga organet kompetente, në këtë rast ministritë përkatëse.
Agjencia për Siguri Nacionale nuk është nën kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por në bazë të takimeve të vazhdueshme që zhvillojmë me këtë agjenci, kemi rënë dakord që procedura e dhënies së pëlqimeve të përshpejtohet, në bazë të normave ligjore.
Me ndryshimin e fundit tek Ligji për të huaj, përmes Nenit 132 (nen i veçantë), është rregulluar marrja e leje-qëndrimit të përhershëm në RMV për ata qytetarë që nuk plotësojnë kushtet dhe nuk kanë dëshmi për shtetësi, por që jetojnë në vend që nga 8 Shtatori i vitit 1991.
Kjo kategori e personave do të gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me shtetasit e RMV-së, përveç të drejtës së votës.
Apeloj deri tek të gjithë qytetarët tanë që kanë probleme me rregullimin e statusit të tyre juridik, të shfrytëzojnë mundësitë ligjore pasi për këtë çështje tashmë ka një afat kohor i cili zgjat edhe dy vite, përkatësisht deri në muajin qershor të vitit 2022.

 

Marketing