Buxheti 2019, 60 milion denarë për konviktet studentore

Deri në fund të këtij viti, konvikti më i madh studentor në vend “Goce Dellçev” do të rinovohet tërësisht. Njeriu i parë i Qendrës studentore shpjegon se procesi për rinovimin e dy blloqeve V dhe G nuk është i thjeshtë për shkak të borxheve të trashëguara.

Marketing

“Ballafaqohemi me borxh të trashëguar prej më shumë se 5 milion euro. Kemi kthyer rreth 2 milion euro. Deri në fund të vitit presim që të kthejmë edhe 1 milion euro. Ndërkohë, jemi duke investuar në sigurinë e studentëve. Çështje e cila deri më tani asnjëherë nuk është hapur për diskutim. Për herë të parë në konviktet studentore vendosim kamera sigurie për ta përmirësuar sigurinë e studentëve, në mënyrë që ti qetësojmë edhe prindërit e tyre”, tha Dario Nikollvski, Drejtor i Qendrës shtetërore studentore “Shkupi”.

Nuk na lejuan të shohim se si po vijon rikonstruimi, pasi që çelësin e objekteve e kishte marrë kompania ndërtuese. Megjithatë, zëvendës-ministri për arsim, shpjegoi se çfarë do të përfshijë rinovimi i këtyre dy blloqeve. Fasada do të mbetet e njëjta pasi që objekti i konviktit studentor është i mbrojtur me ligj.

“Bëhet fjalë për aktivitet të madh që do të thotë ndërrim i dyerve, dritareve, dyshemeve, zëvendësim i instalimit elektrik dhe atij të ujësjellësit, nxemjes qendrore, për çka do të investohen rreth 2,3 milion euro. Gjithashtu, do të sigurohen mobilie të reja gjatë vitit të ardhshëm në vlerë prej 85 mijë euro”, u shpreh Petar Atanasov, Zëvendës ministër i arsimit.

Atanasov porositi se gjatë vitit të ardhshëm do të investohen 30 milion euro për rikonstruim dhe rinovim të disa konvikteve studentore, ndërsa në kuadër të konviktit “Sh. Naumi” do të ndërtohet ndërtesë e re studentore me kapacitet për rreth 700 studentë.