Bytyqi: Me tatimin progresiv synohet baraspesha mes shtresave në shoqëri

Prej më 1 janar, në Maqedoni filloi implementimi i tatimit progresiv të të ardhurave personale.
Me ndryshimet e reja për të ardhurat e realizuara deri në 90 mijë denarë në muaj, qytetarët do të paguajnë normën tatimore prej 10%, ndërsa gjithçka që është mbi këtë shumë do të tatohet me 18%.

Marketing

Ndryshimet e reja shkaktuan reagime të shumta në opinion, por sipas ekspertit ekonomik, Fatmir Bytyqit, tatimi progresiv ka për qëllim zvogëlimin e dallimeve ekonomike që duhet të çojë drejt një shoqërie më të drejtë.

“Është një tatim më i barabartë për qytetarët, sepse në parim ata me të ardhura më larta paguajnë tatim më të madh dhe ata me të ardhura më të vogla paguajnë tatim më të ulët. Ai targeton dy kategori, e targeton kategorinë me të ardhura të larta, që supozohet që janë 1 deri në 2 për qind e qytetarëve dhe nga ana tjetër targeton qytetarët me të ardhura të ulëta, pra ata të cilët kanë më së shumti nevojë për shërbimet publike”,- u shpreh eksperti ekonomik, Fatmir Bytyqi.

Se çfarë rezultati pritet të japë ky model i ri tatimor, Bytyqi thotë se një gjë e tillë pritet të shihet pas një periudhe afatgjate.

“Futja e ligjit të ri në tatimin progresiv duhet ta shohim në aspekt afatmesëm dhe afatgjatë, sepse përftimet e saj do t’i shohim pas një periudhe afatgjate, e jo në një periudhë të shkurtë 1-vjeçare apo 2-vjeçare”,- tha eksperti ekonomik, Fatmir Bytyqi.

Me implementimin e tatimit progresiv, ekonomistët paraqesin edhe mundësinë që të rrezikohen edhe ata që tani në njëfarë mënyre janë klasë e mesme, ndërsa edhe një pjesë e afaristëve reaguan ndaj këtij modeli, pasi, sipas tyre, me këtë veprim do të goditen profesionet deficitare në vend, siç janë informatikanët, të punësuarit në veprimtaritë financiare, konsulentët etj.