Bytyqi: Nuk ka nevojë për rebalanc të buxhetit

Për momentin nuk ka nevojë që të bëhet rebalanc i buxhetit. Këtë vlerësim e dha zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi, i cili thotë se nëse është nevoja për ridedikim të mjeteve, kjo është e mundshme pa rebalanc të buxhetit. Thotë se ana e likuiditetit dhe të ardhurave në buxhet është pozitive dhe përtej asaj që është pritur.

Marketing

“Gjithsesi për momentin nuk jemi duke menduar për rebalanc, megjithëse zakonisht në një periudhë edhe kur nuk ka pasur kriza kemi pasur të paktën një rebalanc, ne thamë që nëse është e nevojshme ne me siguri do të hyjmë në procesin e rebalancimit, por ende nuk kemi specifikuar se kur do të ndodhte kjo, sepse seriozisht të dhënat mbi likuiditetin e buxhetit në anën e të ardhurave të buxhetit janë të qëndrueshme, madje edhe më pozitive sesa e prisnim.”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.

Bytiqi theksoi se gjithnjë ekziston dilema nëse pakot financiare për biznesin janë të mjaftueshme, por u shpreh se Qeveria do të përkushtohet që bashkërisht kjo krizë të tejkalohet.

“Dilema se a janë masat të mjaftueshme gjithmonë mbesin, të njëjtat dilema kemi pasur në fillim të krizës, të njëjtat edhe tani. Mund të them se për shkak të 4 pakove të masave që i kemi miratuar gjatë vitit të kaluar treguan se kur dini saktësisht të planifikoni dhe ndihmën ta jepni të targetuar, efektet gjithsesi se janë të dukshme. Mbesim në faktin që e ndjekim situatën, do t’i mbështesim të gjitha sektorët të cilët janë të prekura dhe gjithsesi do t’iu ndihmojmë që së bashku të tejkalojmë këtë krizë.”,- tha zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.

Këto komente Bytiqi i bëri gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me përfaqësuesit e “Drekslmajer”, për ndihmë shtetërore për realizimin e investimit të ri të kësaj kompanie gjermane e cila parashikon hapje të 1000 vendeve të reja të punës në Kavadar dhe Kumanovë.

Marketing