Nga gjithsej 709 nxënësit e regjistruar deri tani, në klasë të parë në Komunën e Çairit, vetëm 45 janë për paralelet më mësim në gjuhën maqedonase edhe atë 31 në SHF “Vasil Gllavinov”, 8 në “Hasan Prishtina” dhe nga 3 nxënës në “Ismail Qemali” dhe “Jashar beu”. Të gjithë së bashku nuk mjaftojë as për dy paralele maqedonase, ndërsa për mësimin në këtë gjuhë janë planifikuar 7 paralele.

Në Komunën e Çairit, numri real i nxënësve që kërkojnë të regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase nuk i përmbush nevojat as për formimin e dy paraleleve të rregullta. Të paktën këtë e dëshmojnë të dhënat preliminare për regjistrimin e nxënësve në shkollat fillore për vitin 2018/2019 dhe ku deri tani numri i nxënësve për mësim në paralelet maqedonase është jashtëzakonisht i vogël, shkruan gazeta KOHA. Në nëntë shkollat fillore të Komunës së Çairit është planifikuar formimi i shtatë paraleleve në gjuhë maqedonase, në të cilat ka vend për 238 nxënës.

Mirëpo, deri tani janë paraqitur vetëm 45 nxënës, të cilët kanë shprehur dëshirë të regjistrohen në paralelet me mësim në gjuhë maqedonase. Për dallim prej tyre, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë regjistruar 549 nxënës, ndërsa në paralelet turke 115 nxënës.

Ajo që bie në sy është numri i koncentruar i nxënësve të paraleleve maqedonase në një shkollë. Konkretisht, 31 nga gjithsej 45 nxënësit e regjistruar në paralelet maqedonase janë në shkollën fillore “Vasil Gllavinov”, e cila tradicionalisht ka regjistruar nxënës të komunitetit rom pasi edhe vetë shkolla graviton në lagje që popullohet në masë të konsiderueshme nga romët.

Kjo shkollë gjendet në kufirin mes lagjes “Xhon Kenedi” dhe lagjes “Fusha e Topanës”, ku edhe për shkak të përbërjes së popullsisë, vite të tëra është shkolla më e afërt fillore për shkollimin e nxënësve romë. Madje, deri para gjashtë viteve, në këtë shkollë nuk hapej fare paralele me mësim në gjuhën shqipe. Tani planifikohet nga një e tillë dhe për të njëjtën janë paraqitur 20 nxënës.

Ndërkaq, shkollat që ndodhen në vendbanimet tjera të Çairit ose nuk kanë regjistruar asnjë nxënës për paralelet në gjuhën maqedonase, ose kanë fare pak nxënës. Në kategorinë e të parave janë shkollat “7 Marsi”, “Kongresi i Manastirit”, “Liria” dhe “Imri Elezi” ku nuk ka asnjë nxënës maqedonas apo për paralele në gjuhën maqedonase. Ndërkaq në shkollat “Ismail Qemali” dhe “Jashar beu”, në paralelet në gjuhën maqedonase janë regjistruar nga tre nxënës, kurse në “Hasan Prishtina” janë regjistruar tetë nxënës.

Më 31 maj, sikurse dihet – ka përfunduar afati i rregullit i regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore. Deri në fund të verës, deri më 31 gusht edhe mund të ketë ndonjë ndryshim nga listat preliminare, mirëpo janë kryesisht ndryshime të vogla, që kanë të bëjnë nxënësit që për arsye shumë të forta prindërit e tyre nuk kanë arritur ti regjistrojnë fëmijët në shkollë brenda afatit të rregullt.

Sipas listave me të dhënat e regjistrimit të nxënësve deri në datën 31 maj 2018, më tepër nxënës janë regjistruar në “Ismail Qemali” (137 për paralelet shqipe dhe 3 për paralelet maqedonase), pastaj në shkollën “Hasan Prishtina” (130 për paralelen shqipe 8 paralelen maqedonase) si dhe “Tejefjuzi” (109 për paralelet turke dhe 8 për paralelen shqipe).

Në shkollat fillore “Liria” dhe “Kongresi i Manastirit”, shkruan KOHA, janë regjistruar nga 92 nxënës për paralelet shqipe, në “Imri Elezi” 87 nxënës për paralelen shqipe dhe në “Jashar bej Shkupi” 34 për paralelen shqipe, 3 për paralelen maqedonase dhe 6 për paralelen turke. Marrë në përgjithësi numri i nxënësve të regjistruar deri tani në shkollat fillore të Çairit është 709 nxënës, dhe të cilët pritet ta nisi shkollën në shtator të këtij viti.

Deri atëherë mund që ky numër të ritet dhe për 30 – 40 nxënës, por për sistemimin sa më të mirë të paraleleve përgjegjësit komunal të arsimit do të duhet të bëjnë riorganizimin të paraleleve. Për këtë do të duhet të sigurojnë paraprakisht pëlqimin e Ministrisë të Arsimit.

Artikulli paraprakElezi: Për katër muaj janë përfunduar tre stacione pastrimi në tre komuna
Artikulli tjetërAnglia, bileta e fundit e çerekfinaleve. Kolumbia bie te penalltitë