Cakaj: Koordinimi me SHBA-në është jetik për Kosovën

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë në Prishtinë se askush në Shqipëri dhe Kosovë nuk bën plane, në llogari personale, për ta ndarë Kosovën.

Marketing

Ai gjatë një konference për media në Prishtinë, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ka komentuar vizitën e tij në Uashington, të zhvilluar në fund të javës së kaluar.

Cakaj tha se nga takimi me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mund të përcjellë mesazhin se “nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejt, në dëm të Kosovës, për çfarëdo interesi elektoral në SHBA”.

“Ne duhet ta kuptojmë fare realisht pozicionin që e kemi në agjendat ndërkombëtare. Por, duhet ta kemi parasysh që koordinimi me SHBA-të është jetik për ta bërë më të mirën për Kosovën”, ka thënë Cakaj.

Më 27 qershor, me ftesë të ambasadorit Grenell ishte paraparë të mbahej takimi midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Takimi ishte parë si rinisje e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e anuloi pjesëmarrjen në takim. Kjo ka ndodhur pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pjesëmarrjen në takim e kishte anuluar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se pret që takimi midis dy palëve të ricaktohet së shpejti.

Marketing