Çakorri po rrëshqet drejt harresës

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka deklaruar se ende nuk e kanë të përfunduar përcaktimin e vijës kufitare sa i përket marrëveshjes së arritur për Demarkacionin. Këto deklarata Markoviq i ka bërë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shtuar se përcaktimi i vijës kufitare do të bëhet kur të formohet një komision dhe të dyja palët të flasin haptas me njëra tjetrën.

Marketing

I pyetur të komentojë deklaratat e homologut të tij Ramush Haradinaj se ”Çakorri i takon Kosovës”, kryeministri malazez Markoviq ka thënë prapë se ”të dy palët duhet të jenë reale me njëra-tjetrën”.

Në anën tjetër, më shumë se një vit pas miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Komisioni shtetëror, i destinuar për “korrigjimin”, e saj, nuk ka sjellë para opinionit ndonjë rezultat.

Guraziu kujton deklaratat e Haradinajt

Rreth kësaj, opinionisti Ragip Guraziu, ka thënë për “Bota sot” se vet Haradinaj, kishte bërë akuza të rënda ndaj ish kryetarit të Komisionit, Murat Meha, ndërsa në fund u votua versioni i tij.
“Më kujtohet shumë mirë kur Haradinaj pat thanë: “Unë jam nga Gllogjani, dhe Deçani një pjesë të territorit të vet e ka në kufirin me Malin e Zi, si dhe Juniku, Peja dhe me m`thënë mua se nuk po hupim asnjë mm është pak rëndë”, pat thënë Haradinaj. Kryeministri po ashtu e pat quajtur Murat Mehen kriminel i korruptuar, dhe pat deklaruar se ‘’nuk e njoh kufirin me Malin e Zi’’.Ai madje e pranoi edhe vet. Kur e morri postin e kryeministrit, madje atij iu bë edhe një pyetje nga mediumet se “ Përse tani nuk po e cek më kufirin me Malin e Zi”, por Haradinaj pat thënë se “Kur po u ulka njeriu në këtë karrige, po i mendojka ndryshe”, ka cituar fjalët e kryeministrit opinionsti Guraziu.

Burjani: Tema e Demarkacionit me Malin e Zi thjesht është e mbyllur

Kurse, njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Blerim Burjani ka thënë se tema e Demarkacionit me Malin e Zi thjesht është e mbyllur.
“Nuk besoj se do të ketë rishikim në situata të tilla, ku Mali i Zi e konsideron këtë linjë kufitare të kryer, dhe e tëra më tutje është marketing politik për konsum të brendshëm. Ky kryeministër ishte bërë kryeministër kritik për shkak të qëndrimit të tij duke e kritikuar PDK-në dhe LDK-në në këtë temë. Por, përderisa ai u bë kryeministër i cili harroi këtë çështje dhe se ka mbetur vetëm kohë pas kohe e përmend”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani.

Duhanaj: Duhet përmbyllet ky proces i stërzgjatur

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, ka pohuar se sipas disa deklaratave zyrtare duhet të formohen komisionet shtetërore nga Kosova dhe Mali i Zi.

Sipas tij, kjo nënkupton se çështja e demarkacionit do t’i nënshtrohet një verifikimi, dhe nëse ndodhë kështu, atëherë mund të pritet që gjërat do të shkojnë në rregull.