Mbledhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime është caktuar të mbahet në orën 19:00. Kryetari i Komisionit, deputeti i VMRO-DPMNE Ilija Dimovski, njoftoi se pritet që të konstatohet lista e 41 kandidatëve për anëtarë të KSHZ.

Megjithatë ka disa procedura që të arrihet deri tek zgjedhja e plotë e KSHZ. Pasi tani të konstatohen kandidatët, kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Ilija Dimovski, do ta njoftojë kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Ai pastaj do të duhet t’i njoftojë katër partitë politike që do të kenë anëtarë.

Më pas do te duhet të marrë përgjigje nga partitë politike për emrat konkret që do të propozohen. E më pas, kryetari i Kuvendit Xhaferi do duhet që emrat konkret përsëri t’i dorëzoj në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime. Pasi të votohen emrat konkret në këtë Komision, atëherë do të dorëzohen për votim në seancë plenare. Sipas informatave nga Kuvendi, insistohet që e gjithë kjo procedurë të përfundojë sonte.