Cana: Nuk ishte momenti i duhur për lehtësimin e masave,qytetarët t’i respektojnë masat

Numri i pacientëve në Klinikën për Sëmundje Infektive aktualisht sillet prej 50 deri në 60 persona të hospitalizuar. Kjo shifër ndryshon nga dita në ditë, informon infektologu, Fadil Cana. Ai njëherit vlerëson se heqja e orës policore dhe hapja e kafeneve më tepër është vendim politik se sa mjekësor. Sipas tij, tani nuk ka qenë momenti i duhur i lehtësimit të masave, duke marrë parasysh se vazhdimisht ka të infektuar të rinj, madje numri i të infektuarve është më i madh se sa në kohën kur u vendosën masat.

Marketing

“Në kohën kur autoritetet shëndetësore ishin në bashkëpunim me Qeverinë teknike të RMV-së, kishte një përpjesëtueshmëri të ulët të nivelit të mesatarit të personave të infektuar gjatë një 24 orëshi dhe ishte periudhë kohore prej një jave, nëse e krahasojmë periudhën kohore njëjavore të kohës kur është sjellë ora policore dhe kohës së heqjes së orës policore, d.m.th. kemi një diskrepam, sepse tash kemi mesataren shumë më të lartë se në kohën kur është vendosur ora policore, kjo dëshmon se vendimi nuk ka qenë mjekësor, por ka qenë më shumë i ndikuar nga politika dhe kalkulimet ditore.”,- deklaroi infektologu, Fadil Cana.
Cana po ashtu thotë se lehtësimi i masave nuk nënkupton se virusi u largua, sipas tij, ai është mes nesh, andaj duhet kujdes më i shtuar.

“Nga 21 mars deri në 30 mars ka qenë diku mesatarja 21.3 të sëmurë brenda 24 orëve, kurse tash kur ora policore hiqet është 27.5. Kjo tregon se kemi rritje të personave të infektuar gjatë një 24 orëshi dhe nuk kemi zvogëlim saqë me këtë unë çova mesazh se ende nuk janë pjekur kushtet në RMV që të bihet një vendim i tillë, po normal nuk varet nga autoritetet kompetente shëndetësore sa varet nga kalkulimet politike ditore.”,- tha Cana.

Autoritetet duhet të përgatiten edhe për valën e dytë të pandemisë, thotë Cana, e cila pritet të jetë në shtator dhe tetor. Ai gjithashtu apelon qytetarët që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, të ruajnë distancën fizike, e cila është shumë domethënëse në transmetimin e virusit dhe t’i përmbahen masave dhe rekomandimeve të OBSh-së.

Marketing