Capello i zbulon planet e Real Madridit

Ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, ka zbuluar se klubi madrilen planifikon t’i shpenzojë deri në 500 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës për ta përforcuar skuadrën.

Zinedine Zidane u kthye në pozitën e trajnerit të Real Madridit me shpresën se do ta ketë përsëri të njëjtën efekt si herën e kaluar. Për ta arritur këtë qëllim, ai i ka 500 milionë euro në dispozicion për ta përforcuar skuadrën, transmeton Gazeta Express.

Këtë gjë e ka bërë të ditur edhe Fabio Capello, i cili pretendon se ka dëgjuar nga një burim brenda Real Madridit se “Los Blancos” do t’i shpenzojnë 500 milionë euro.

“Ata më thanë se Real Madridi i ka 500 milionë euro ne dispozicion për t’i shpenzuar. Isha në Barcelonë këtë javë dhe këtë gjë ma bëri të ditur dikush që di shumë për Real Madridin”, ka thënë Capello.

Para një jave, Capello e kishte komentuar kthimin e Zinedine Zidanit në pozitën e trajnerit të Real Madridit.

“U habita që Zidane u kthye, por mendoj se ai do të ketë edhe më shumë fuqi këtë herë në krahasim me herën e kaluar. Ai mund t’i transferojë tre apo katër sulmues të mirë, por kjo gjë dihet vetëm nga Zidane dhe përgjegjësit për transferimin e lojtarëve”, kishte thënë Capello.

E përditshmja franceze, L’Equipe, raporton se lojtarët kryesorë për të cilët do të shpenzohen këto para janë Eden Hazardi i Chelseat, Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit dhe Paul Pogba i Manchester Unitedit.

Megjithatë, asnjëra prej këtyre marrëveshjeve nuk do të jetë e lehtë për tu arrirë.

Edhe pse për transferimin e Hazardit është spekuluar tash e një kohë të gjitha, dënimi që FIFA ia ka dhënë Chelseat për të mos transferuar lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare bën që klubi londinez ta dëshirojë qëndrimin e belgut edhe më shumë.

Në anën tjetër, Paris Saint-Germaini nuk është i gatshëm ta lë Mbappen të shkojë për asnjë ofertë. Kjo pasi që klubi francez beson se Mbappe do të bëhet edhe më i mirë sezonin tjetër dhe përfitimet edhe jashtë fushës, prej shitjes së fanellave të tij, janë marramendëse.

Së fundi, Real Madridi do ta ketë po aq të vështirë ta sigurojë transferimin e Pogbës, i cili është ylli i skuadrës së Manchester Unitedit. Kontrata e 26-vjeçarit është ende larg skadimit dhe drejtuesit e “Djajve të kuq” nuk duan ta lënë francezin të largohet.