Reformat aktuale në sistemet për mbrojtje sociale, rehabilitim social të personave me aftësi të kufizuara, punësimin e personave të rinj, zhvillimi dhe kujdesi demografik, ishin një pjesë e temave të takimit të sotëm dypalësh në Shkup të ministres së Punës dhe Politikës Sociale të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, Hartinger Klajn dhe Milla Carovska.

Në takim, siç kumtuan nga MPPS, ministret Klajn dhe Carovska kanë biseduar për mundësitë për bashkëpunim midis të dyja vendeve dhe realizim të proceseve të përbashkëta të reformave.

“Hartuam një pako të zgjidhjeve ligjore me të cilën e transformojmë të gjithë shoqërinë dhe të cilat duhet ta ulin varfërinë  përmes aktivizimit të tregut të punës të personave në rrezik social. Këto reforma ligjore për momentin janë në procedurë kuvendore. Periudhën e kaluar, gjithashtu, ishim vendi i vetëm i cili nuk është anëtar i BE-së, ndërsa e ka zbatuar Garancinë për të rinj. Kjo masë është pjesë e Planit operativ për punësim edhe sivjet, sepse zbatimi i tij ka dhënë rezultate të shkëlqyera”, tha ministrja Carovska.

Ministrja austriake Klajn e përshëndeti reformën sociale  që e ka hartuar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se hapat e këtillë të reformave janë pjesë e proceseve që vendi duhet t’i zbatojë në rrugën drejt BE-së.

Klajn theksoi se në të gjithë këtë proces janë shumë të rëndësishme edhe shërbimet që i ofron shteti në të gjitha segmentet të mbrojtjes sociale.

“Qëllimi i Qeverisë sonë është që sa më shumë persona të rinj të jenë aktivë në tregun e punës me ndihmën e rrjetit të shërbimeve që i ofrojmë për integrimin e tyre”, tha Klajn.