Ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, vlerëson se masa e qeverisë së kaluar për ndarjen e mjeteve mujore për fëmijën e tretë, nuk i ka arritur efektet e duhura, përkatësisht nuk ka ndikuar në rritjen e natalitetit në vend.

Para 10 vitesh nataliteti ishte 13,3%, ndërsa në vitin 2016, edhe përkundër mjeteve mujore prej 8000 denarësh për fëmijën e tretë, ka pasur rënie në 11, 1%, edhe pse janë ndarë 2 miliard e 600 milion denarë në nivel vjetor. Sipas saj, kjo masë është demografike, e jo sociale.

“Prandaj e transformojmë si politikë demografike që nuk i diskriminon fëmijët tjerë për dallim nga fëmija i tretë, por themi se kjo do të vlejë edhe për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë.

Më e rëndësishmja për të gjithë fëmijët që marrin shtesa për fëmijën e tretë është të thuhet se kjo masë nuk hiqet dhe ato do të vazhdojnë ta realizojnë këtë të drejtë, sipas ligjit aktual, ndërsa do të mund ta realizojnë këtë të drejtë edhe në 10 muajt e ardhshëm, që të përfshihen edhe lindjet brenda këtyre 10 muajve”,- theksoi Milla Carovska nga MPPS.

Ministrja Carovska nuk e ndan mendimin se ndryshimi i Ligjit do t’i demotivojë çiftet të lindin fëmijë. Nuk ka prind që lind për shkak të 8.000 denarëve, tha Carovska në debatin lidhur me Ligjin për mbrojtje sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve që u mbajt në institutin për punë dhe politikë sociale.

Carovska sqaron se shtesa për fëmijën e tretë do të zëvendësohet me ndihmë të njëhershme prej 60 mijë denarësh, për fëmijën e dytë 20 mijë denarë, ndërsa për fëmijën e parë 5 mijë denarë. Sipas të dhënave të ministrisë, gjatë vitit 2017 të drejtën e shtesave për fëmijën e tretë e kanë realizuar 26.126 nëna, ndërkohë që për fëmijën e katërt 803 nëna.