Me 7 vota pro dhe 3 kundër në Komunën e Çashkës u votua nisma për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe. Këshilli Komunal vendosi që fëmijëve shqiptarë të fshatrave përreth tu mundësohet rihapja e paraleles në gjuhën amtare në Shkollën fillore “Todor Janev” të Çashkës së Velesit.

Seanca e Këshillit u zhvillua me diskutime të shumta prapa dyerve të mbyllura dhe si konkluzion u vendos që drejtoresha e shkollës Violeta Spirkovski me kreun e Komunës dhe kreun e Këshillit nga e hëna të zhvillojnë takim në Ministrinë e Arsimit. Kryetari i Këshillit Halit Ferati u shpreh optimist në zgjidhjen afatgjate të problemit, pavarësisht kundërshtimeve nga tre këshilltarët e VMRO-DPMNE-së.

Sot për fat të keq, këshilltarët e VMRO DPMNE-së ku japin një pasqyrë negative të situatës në komunën tonë. Nuk duan zgjidhje, por duan ta shndërrojnë problemin në çështje ndëretnike dhe të paguajnë ndonjë familje pavarësisht a është shqiptare apo maqedonase. Nuk është koha të ngritën tensione ndëretnike. Është koha për veprim, guxim dhe vendosmëri – deklaroi Halit Ferati, Kryetar i Këshillit të Komunës së Çashkës.

Ferati si Këshilltar i koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Besa-PDSH, thotë se me këshilltarët e tjerë të LSDM-së dhe BDI-së përkrahin këtë nismë të nënshkruar nga prindërit shqiptarë të fshatrave. Ai thotë se protesta e djeshme e disa prindërve maqedonas kundër kësaj paralele u organizua pikërisht nga këshilltarë partiak të VMRO-së, të cilët lëshuan sot mbledhjen.

Ndërsa kreu i komunës së Çashkës u zotua se bashkë me pushtetin qendror dhe përfaqësues të ministrisë përkatëse do të bëjnë përpjekje që nxënësve shqiptarë t’ju mundësohet që procesin mësimor të mund ta ndjekin në gjuhën e tyre amtare.
Sot këshilli i Komunës së Çashkës pa prezencën e këshilltarëve të opozitës ka marrë vendim të mençur, ka miratuar konkluzion se në periudhën e ardhshme bashkë me drejtorinë e shkollës, unë si kryetar i Komunës dhe bashkë më nga një përfaqësues të subjekteve politike në këshill do të realizojmë takime edhe me ministrin edhe me kryeministrin me të vetmin qëllim që të gjendet zgjidhje që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare -u shpreh Goran Stojanovski, Kryetar i Komunës së Çashkës.

Nga Ministria e Arsimit u shprehën të gatshëm të hapin paralelen shqipe për t’ju mundësuar fëmijëve të mësojnë në gjuhën amtare dhe mos të udhëtojnë kilometra të tëra për në fshatrat e tjera ku aktualisht ka shkolla shqipe. Në shkollën “Todor Janev” të Çashkës mësojnë mbi 120 nxënës, prej të cilëve 41 janë nxënës shqiptarë të cilët vijnë nga fshatrat Banjicë, Bosillcë, Starigrad dhe disa të tjerë. Dje u bojkotua mësimi në shenjë proteste, kurse edhe sot mbeten të mbyllura dyert e kësaj shkolle, me arsyetimin se nxënësit janë në shëtitje të organizuar nga drejtoria.