Çdo i dyti fëmijë vuan nga sëmundjet respiratore

Infeksionet respiratore akute janë ndër shqetësimet më të shpeshta gjatë ditëve të ftohta të vitit për të gjitha moshat, në veçanti për fëmijët dhe të moshuarit. Gati çdo individ preket nga këto infeksione, prandaj ato bëhen shkaku kryesor i mungesave në punë, kopshte fëmijësh, shkollë, etj. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, 1600 persona vdesin çdo vit në Maqedoni si pasojë e ndotjes, shkruan gazeta Koha.

Marketing

Dr. Rexhep Emurllai, Internist në fushën e gastroentropatologjisë dhe profesor universitar thotë për gazetën KOHA se me ndryshimin e temperaturave, kemi ardhur deri te komplikimet e sëmundjeve respiratorë, ku ditëve të fundit nuk përjashtohen edhe patologjitë e tjera që prekin edhe sisteme të tjera, si të lëkurës.

“Numri i fëmijëve të prekur nga infeksionet respiratore është mjaft i rritur, pa marrë parasysh se qendrat epidiomologjike në Maqedoni nuk kanë dalë me një numër të saktë të të sëmurëve që vuajnë nga sëmundjet respiratore akute ose sistemet tjera. Kjo është politikë e brendshme e shtetit, që të mos alarmojë, për të mos shkaktuar një katrahurë dhe mosbesim te qytetarët ndaj institucioneve shëndetësore, por edhe mos shkaktojë panikë. Qendrat epidiomologjike në këto raste janë obligative që të rrisin kushtet e tyre dhe revizionet nëpër spitale e ambulanca, që të kemi një numër të saktë të të prekurve nga sëmundjet infektive, respektivisht infeksionet respiratore, që të ndërmerren edhe masa konkrete”, nënvizon Emrullai. Sipas tij, Maqedonia llogaritet një nga qendrat më të kontaminuar me materie toksike, duke përfshi rajonet e Pollogut, Shkupit, Velesit e Manastirit.

“Materialet që përdoren për nxehje nuk janë të standardizuar, kurse qytetarët prej kushteve të vështira ekonomike, djegin goma, materiale plastike, që padyshim përmbajnë shumë materie toksike të cilat lirohen gjatë djegies dhe lëvizin në afërsi të tokës dhe gjithmonë janë rezervuar shumë i tmerrshëm, të cilët barabartë me viruset e tjera llogariten si një ndër antigjenët më kryesor”, tha doktor Emrullai.

Nga ndotja dhjetë herë më e lartë se nivelet e rekomanduara, Maqedonia është vendi më i ndotur në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA). Trafiku i dendur dhe përdorimi i sobave të drurit dhe lëndëve djegëse, shkaktojnë rritje të rrezikshme të ndotjes së ajrit, prandaj gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë kujdes mjekësor.

Qeveria e Maqedonisë ka plan ambicioz për të përmirësuar cilësinë e ajrit me 50 për qind gjatë dy viteve të ardhshme, merr vesh KOHA. Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë, Megjashi, në Maqedoni, ka kryer një hulumtim sipas të cilit çdo i dyti fëmijë vuan nga infeksionet respiratore. Ajri ndotës është shkaku i një sërë sëmundjesh kardiovaskulare, si dhe rritjes së vdekshmërisë së fëmijëve, lindjeve të parakohshme ose mutacioneve gjenetike në fetus.

“Në Parlament duhet të nxirren ligjet që do të promovojnë të drejtat e fëmijëve ku shëndeti i tyre duhet të jetë prioritet në mënyrë që të asgjësohen grimcat e kancerogjene me përmasa të lehta, sepse kjo në legjislacionin e Bashkimit Evropian është e rregulluar me ligj”, thotë Dragi Zmijanac nga Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi”.

Marketing