Çdo i katërti i mitur ka provuar drogë!

Nëntë për qind e qytetarëve kanë provuar droga të paligjshme në jetën e tyre, ndërsa 19 për qind e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç e kanë bërë gjithashtu një gjë të tillë. Rreth 1.1 për qind e qytetarëve kanë provuar ilaçeve në formë drogash, dhe rreth 6800 i kanë përdorur ato me injeksion. Ka fëmijë që në moshën 10 vjeç kanë provuar substanca psikoaktive, thonë të dhënat nga HOPS. Drejtori Ivica Cekovski nga organizata HOPS për gazetën KOHA theksoi se ky fenomen ka ekzistuar dhe do të ekzistojë. Sipas të dhënave statistikore të siguruar në terren, numri i të miturve të cilët përdorin drogë poshtë-lartë pothuajse është i njëjtë për disa vite me radhë.

Marketing

“Më shumë këtij fenomeni i nënshtrohet fëmijët, të cilët janë me status social të rrezikuar. Mirëpo ajo që është shqetësuese është fakti se nuk ka programe të mjaftueshme për mjekim dhe mbështetje ndaj tyre”, tha Cekovski. Sipas tij, ndaj fëmijëve nuk duhet të përdoret dhunë ose të frikësohen, por atyre duhet shpjeguar mbi pasojat. Bazuar edhe në ekspertizat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, duhet të krijohen kushte për edukim, rekreacion dhe të shpjegohen efektet negative nga përdorimi i narkotikëve në mënyrën që të rinjtë ta kuptojnë më lehtë këtë devijim shëndetësor e social. Ndërkaq duhet të punohet në drejtim të asaj që narkotikët të mos jenë lehtë të arritshme për të miturit.

Për mësimdhënësin Y.Z, kjo dukuri është në rritje dhe po shndërrohet në trend si diçka moderne për të miturit. Sipas tij, trekëndëshi fëmijë-prind-mësimdhënës duhet të jetë më funksional, ndërkaq nga ana tjetër duhet angazhim më i madh i institucioneve. Gazeta KOHA kishte informuar edhe disa herë në lidhje me drogat në afërsi të shkollave, e për një gjë të tillë kishte reagime edhe nga ana e prindërve të cilët shpesh publikojnë edhe fotografi në rrjetet sociale.

Studenti Eren Aliu thekson se kjo dukuri dhe numri i të përfshirëve pothuajse është i njëjtë, nuk ka luhatje të mëdha. Zakonisht kjo ndodhë për shkak kuriozitetit tek të rinjtë për të provuar diçka të re. “Narkotikët janë përditshmëri në botën e adoleshentëve, nga cila anë të kthejmë kokën shohim gjëra të cilat motivojnë përdorimin e tyre. Ato shfaqen lirshëm në filma, videoklipe të këngëve, po ashtu edhe në rrjetet sociale, pra nuk ekziston asnjë lloj censure ndaj shfaqjeve të tilla devijante. Kjo i bën që të rinjtë këto gjëra shpesh herë ti shohin si diçka normale, e të cilat janë të ndaluara me Ligj”, tha Aliu për gazetën KOHA. Sipas tij faktor parësor është kureshtje, duke radhitur pastaj faktorin psiko-social si mbështetje nga ikja e realitet me të cilën shumica e të rinjve nuk mund të ballafaqohen. Ndër të tjera ai propozon që të merren masa preventive që këto materie mos të arrijnë tek të rinjtë. “Njoftimi i të rinjve me pasojat krijon vetëdije. Institucionet nuk mund të marrin masa të duhura sepse përdoruesit janë diskret dhe nuk kërkojnë zgjidhje,nga ana tjetër masat që ata përdorin nuk janë të mjaftueshme ”, nënvizon Aliu.

Se në shkolla nuk flitet sa duhet për këtë temë, konstaton studimi nga profesoresha e drejtësisë Sofka Haxhijevska. Sipas saj është e nevojshme të aplikohen sa më shumë programe në mënyrë që të rinjtë të mund të vendosin në lidhje me përdorimin e tyre dhe jo kjo të mbetet tabu temë. Në studimet e saj Haxhieva kishte theksuar se drogat janë lehtë të arritshme për të gjithë. Sipas këtij studimi, 11 për qind e të rinjve përdorin ilaçe në formë drogash, më shumë nga gjinia mashkullore, kurse 40 për qind e nxënësve kanë deklaruar se kanë njohuri për drogat, ndërsa vetëm 1 për qind theksuan se është vështir të arrihet deri tek droga. (koha.mk)