Me rastin e 17-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ish-ambasadori shqiptar në Republikën e Maqedonisë, Arben Çejku konsideron se marrëveshja ka rëndësi të madhe sepse e ka ndaluar konfliktin qytetar mes dy bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni.

“Një pjesë më e madhe e marrëveshjes është sendërtuar në Kushtetutën e Maqedonisë, por, si edhe të gjitha marrëveshjet 100 për qind nuk është zbatuar. Sido që të jetë, megjithatë konsiderohet e suksesshme”, tha Çejku duke marrë pjesë në një emision në televizionin tiranas “Report tv”.

Në pyetjen rreth miratimit të “ligjit për gjuhën shqipe” dhe sa ai është implementuar, Çejku thotë se nevoja për përdorimin e gjuhës shqipe është e natyrshme dhe e kuptueshme nga të gjithë. Përdorimi i tij, konsideron ai, është element kyç për afrimin e bashkësive etnike. Megjithatë, prej kohës në kohë, vlerëson ai, kjo marrëveshje është penguar nga faktorë të ndryshëm politik.

Ai u ndal edhe në çështjen e emrit, çfarë rezultati pret nga referendumi i caktuar dhe si kjo do të ndikojë ndaj shqiptarëve.

“Referendumi është ndër aktet më të vështira të Maqedonisë. Një ‘po’ do ta anëtarësojë në NATO dhe do të hapë kapitullin me BE-në. Me afrimin e fushatës për referendumin do të paraqiten vështirësi në pranimin e referendumit. Ka edhe fuqi të tjera të cilat do të dëshironin Maqedoni të pa anëtarësuar dhe në konflikte”, theksoi ai.

Çejku flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili sipas tij, është një dështim i bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa nga ai dialog ka humbur vetëm Kosova.

U përqendrua edhe në çështjen rreth korrigjimit të kufinjve, që e propozoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin, thotë, e ndjekë me vëmendje të posaçme.

Ajo është çështje për të cilën po debatohet shumë. Nuk është çështje aq e thjeshtë, siç mendohet. Në dialogun, dështoi BE-ja, sepse nuk i konkretizoi marrëveshjet. De fakto, Kosova nuk ka kurfarë përfitimi nga dialogu. Kosova dhe Serbia duhet të diskutojnë si dy shtete të barabarta. Kush garanton se nëse ndodhë që Rusia nuk do të parashtrojë sërish veto për të mos e njohur Kosovën. Kjo ide është shumë e rrezikshme. Hapja e dialogut për atëdo të kushtëzojë që Kosova të ulet në tryezë pa forcë dhe pa mbrojtje”, vlerëson Çejku.

Ai konsideron se akuzat e ndërsjellta në relacionin Hashim Thaçi dhe ish-presidenti shqiptar Sali Berisha janë të panevojshme.

“Në këtë situatë liderët shqiptarë nuk duhet të japin deklarata të tilla, por duhet të jenë unikë. Kjo është taktikë për t’u tërhequr vëmendja nga debati. Dëshiroj që në të ardhmen të kemi përgjegjësi më të madhe. Është e papranueshme të kemi debate të tilla në kohë kur serbët janë të bashkuar”, thekson ish-ambasadori shqiptar në Republikën e Maqedonisë, Arben Çejku.