Sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në sallën “Boris Trajkovski” u mbajt debati publik me temë: “Ushqimi si një e drejtë themelore e njeriut”. Qëllimi i debatit ishte menaxhimi në mënyrë më efikase dhe më efektive e mbetjeve te ushqimit.

Çdo vit miliona njerëz në BE dhe në vendet e Gadishullit Ballkanik nuk janë në gjendje të përballojnë që çdo ditë të kenë një vakt ushqimor cilësor, ndërsa vetëm në BE çdo vit gjenerohen rreth 88 milion ton mbetje ushqimore me vlerë prej 143 miliardë euro, ndërsa vetëm në Republikën e Maqedonisë kjo vlerë arrin në rreth 12 milion euro mbetje të ushqimit. Përveç ndikimit negativ në mjedis, mbetjet e ushqimit kanë ndikim negativ ekonomik dhe social.

Gjatë debatit Sekretari shtetëror nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave z. Nefrus Çeliku theksoi se “Donacioni i ushqimit ka një ndikim të madh pozitiv social dhe ekonomik në luftën kundër varfërisë dhe urisë dhe në të njëjtën kohë kontribuon ndjeshëm në reduktimin e ndotjes së mjedisit.”

Në debat ishin prezent një numër i madh deputetësh, përfaqësues të OJQ, si dhe përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore.