Çfarë e lidh Selën me Mickoskin? Më 27 prill ishin në anë të ndryshme, tani të gatshëm për bashkëpunim

27 prill 2017. Hapja e dyerve të Kuvendit nga ana e një deputeti të VMRO-DPMNE-së, bëri që turma protestuese të hynte në shtëpinë ligjvënëse duke dhunuar të zgjedhurit e popullit. Mes tyre më se keqi e pësoi deputeti dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. E nëse ai ishte viktima, në anën tjetër, në turmën e protestuesve, gjendej Hristijan Mickoski, tani kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Marketing

Çuditërisht, 3 vite pas kësaj ngjarjeje, Mickoski e Sela, bashkë me kreun e Alternativës, Afrim Gashi janë të gatshëm për të bashkëpunuar, fillimisht për zgjedhjet lokale.

Qëndrime të kundërta kanë plot. Që kur u amnistuan të përfshirët në ngjarjet e 27 prillit (19.12.2018), deputetët e VMRO-DPMNE-së patën votuar pro, ndërsa nga ana tjetër Sela pohonte se me këtë “po vritej për të dytën herë”. Sela tani pohon se nuk e ka ndërmend që në emër të asaj ngjarjeje të amnistojë politikat e gabuara të Zaevit.

“Njerëzit të cilët edhe të asaj kohe që i organizonin këto ndodhi, sot janë krah për krah me Zoran Zaevin, politikanë të tjerë nga blloku shqiptar që festonin eliminimin fizik të Ziadin Selës sot janë në Qeveri bashkë me Zoran Zaevin, prandaj ndodhitë e 27 prillit sot kanë të bëjnë me Qeverinë dhe aspak me opozitën”, tha Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.

Përgjegjësi nuk marrin paritë politike, por individë të caktuar, pohon kreu i ASH-së, gjersa nga ana tjetër ai i DPMNE-së tha se i vjen keq për atë që ka ndodhur më 27 prill. Po edhe nëse “27 prilli” hidhet prapa krahëve, duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit, liderët nuk kanë qëndrime të njëjta edhe për gjëra të tjera, si Marrëveshja e Prespës e as për ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Po çfarë i lidh realisht këto subjekte politike?

“Mendoj se kemi shumë pika të përbashkëta, bashkë dhe njerëzit sot janë këtu me ne. Unë dua të bashkëpunoj me njerëz që e mbajnë fjalën. Me njerëz që fjalën e kanë mbi gjithçka dhe këtë për momentin nuk e shoh tek kryesia e BDI-së”, theksoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Analisti politik Albert Musliu pohon se nëse Mickoski e Sela, duan të veprojnë si bllok opozitar, duhet t’i tejkalojnë dallimet që i kanë. Gjetja e një narrativi të përbashkët do të sillte përforcim të bashkëpunimit, thotë ai.

“Nëse nga shumica aktuale promovohen ide që në zgjedhjet lokale mund të shkohet me lista të përbashkëta, me kandidatë të përbashkët, nëse kemi ndryshim të narrativit te VMRO-DPMNE-ja, ne realisht mund të presim që ajo të ndodhë edhe te blloku opozitar, me qëllim që të masin forcat. Nëse ndryshimi i narrativit bëhet, ai do të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare, jam shumë i sigurt”, deklaroi Albert Musliu –analist.

Musliu shton se nuk është e lehtë për VMRO-DPMNE-në të ndryshojë narrativin për çështjet si marrëveshjet, ndryshimet kushtetuese e të tjera, me të cilin vazhdimisht ka sulmuar pushtetin. Por tani për tani pika që bashkon opozitën maqedonase me atë shqiptare është lufta ndaj pandemisë. Çmim politik edhe mund të paguajnë për bashkëpunimin që mund ta bëjnë, por kjo çështje mund të jetë kalkuluar paraprakisht.

“Çdo herë kur bëhen hapa që nuk janë standard-tradicional, paguhet edhe çmimi politik, por ata sigurisht se do ta llogarisin a do të jetë përfitimi më i madh se sa çmimi, apo çmimi më i madh se përfitimi dhe në bazë të saj do të vendosin”, thotë Albert Musliu – analist. TV21

Marketing