Çfarë janë kriptot?
Kriptovalutat janë valuta njësoj si euro, dollar apo lekë por ato janë tërësisht virtuale dhe mund të përdoren për të blerë mallra ose shërbime. Ato varen nga një sistem kriptografik për të verifikuar që transaksionet janë të sigurta, në vend të një pale të tretë si sportelisti i bankës.

Çfarë është Bitcoin?
Bitcoin është emri i kriptovalutës së parë – origjinales, – asaj që e nisi të gjithë sistemin e ‘parasë virtuale’. Është dizajnuar për të lejuar përdoruesit e saj të bëjnë pagesa digjitale pa qenë nevoja të varen apo mbështeten tek një institucion financiar si bankat. Gjithashtu kjo do të thotë se përdoruesit mund të dërgojnë dhe pranojnë para në mënyrë anonime dhe pa taksa, karakteristika këto të një sistemi të decentralizuar – e kundërta e sistemit të centralizuar në të cilën marrim pjesë të gjithë ne në mënyrë të përditshme, duke pasur bankat dhe bursën që vendosin si për shërbimet dhe transaksionet tona por edhe vetë vlerën e valutave që ne përdorim.

Nga erdhi Bitcoin?
Në vitin 2008, një programues anonim i njohur me emrin Satoshi Nakamoto, ngarkoi një dokument të njohur si ‘whitepaper’ në një faqe kriptografie, duke shpalosur në të vizionin për kriptovalutën e parë dhe një revolucion financiar që do të prekte të gjithë botën.
I njëjti individ besohet të jetë i përgjegjshëm për ta bërë të qasshëm nga kushdo, kodin dhe protokollin mbrapa të gjithë platformës së Bitcoin, gjë që ka lejuar krijimin e kriptovalutave të tjera, ama kodi origjinal është locked apo i kyçur, gjë që nuk lejon askënd të bllokojë të ardhurat e dikujt apo t’ia vjedhë ato pa pasur kodin personal të personit, i cili përveç fjalëkalimeve vjen dhe në formën e një çelësi fizik USB që funksion si kuletë digjitale.

Ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se kush mund të jetë në të vërtetë Nakamoto, apo nëse ai punon vetëm apo në grup.

Si funskionon?
Bitcoin është i ndërtuar mbi një sistem digjital të distribuuar publikisht që njihet me emrin blockchain apo zinxhir blloqesh. Ky sistem lejon arkivimin e të gjithë transaksioneve si dhe vënien e tyre në dispozicion për publikun e gjerë me anë të një rrjeti të posaçëm, i cili bën të mundur që të dhënat të jenë publike, mos të ndryshohen, manipulohen apo vidhen. I njëjti sistem mbron të gjithë platformën nga probleme si ‘shpenzimi i dyfishtë’, që eliminon rrezikun që e njëjta njësi valute apo monedhe digjitale të përdoret më shumë se një herë.

Sipas protokollit të Bitcoin, çdo 10 minuta një ‘bllok’ me të gjitha transaksionet e kryera në rrejt në 10 minutat e shkuara, arkivohet dhe verifikohet me anë të një sistemi kontrollor të njohur si gërmimi apo në gjuhet origjinale mining.

Mekanizmi i gërmimit bëhet me anë të kompjuterëve tepër të fuqishëm që luajnë rolin e sportelistëve apo punonjësve të një banke që përveçse verifikojnë transaksionet tuaja, merren dhe me problemet e ndryshme që ju mund të keni – i gjithë procesi ndodh në botën digjitale.

Njerëz në të gjithë botën kanë marrë përsipër të krijojnë ambiente nga dhoma të vogla deri në magazina të tëra të njohura si ‘ferma gërmimi’, të cilat mbushen me kompjuterë të fuqishëm që shpenzojnë sasi të larta elektriciteti. Mënyra sesi ‘gërmuesit’ fitojnë para është duke u shpërblyer për çdo transaksion që verifikohet prej kompjuterëve të tyre. Pra nëse t’i dërgon para, në këtë rast Bitcoin nga Tirana në Nju Jork, një kompjuter në Çeki i cili verifikon që çdo gjë është e sigurt dhe në rregull në transaksionin tuaj, shpërblehet me një sasi të caktuar parash apo në këtë rast, Bitcoin.

Vlen të thuhet se në çdo moment Bitocoin apo çdo lloj kriptovalute tjetër mund të konvertohet në dollarë, euro, lekë apo çdo lloj valute tjetër në tregun ndërkombëtar.

Kritikët e Bitcoin, përfshi drejtuesin e kompanisë multi-miliardere Tesla, Elon Musk, kanë vënë në dukje shqetësimin rreth sasisë së lartë të elektricitetit që duhet për të lejuar që Bitcoin të funksionojë, gjë që mund të ketë një impakt negativ në mjedis ndaj edhe prej kohësh, kanë nisur tentativa për ta bërë këtë kriptovalutë më të ‘gjelbër’, efiçente dhe miqësore ndaj ambientit.

Artikulli paraprakMotrat vriten në rrugë, pamjet transmetohen në Instagram (VIDEO)
Artikulli tjetërStrategjia 10 vjeçare, MPJ forcon rolin e kuvendit në politikën e jashtme