Çfarë përmbajnë 65 amendamentet e VMRO-së për PSP-në

Portali A1On ka publikuar një sërë amendamentesh që po e bllokojnë ecurinë e bisedimeve mes pushtetit dhe opozitës për fatin e PSP-së. Në amendamentet e publikuara, mund të shihet se si VMRO-ja kërkon që PSP-ja të shuhet tërësisht, pasi beson se e ka mbaruar misionin e saj për çka është formuar.

Marketing

VMRO kërkon edhe fshirjen e tërësishme të një mori amendamentesh në Ligjin për Prokurori Publike duke kërkuar edhe shfuqizimin e Prokurorive të Larta.

Nga amendamentet e parashtruara duket qartë se për VMRO-në është e pranueshme vetëm ideja që PSP ti përfaqësojë vetëm lëndët që i ka nisur deri më 30 qershor të 2017-ës, dhe kur të gjithë këto proceset gjyqësore të marrin fund, me to të merr fund edhe Prokuroria Speciale. Gjatë kësaj periudhe të kufizuar, VMRO kërkon që PSP-ja të vendoset në Sektorin e Krimit të Organizuar , si një repart i veçantë.

VMRO-ja nuk heq dorë as nga zhvlerësimi i bombave duke kërkuar që ato të tërhiqen tërësisht nga lista e provave të të gjithë lëndëve të PSP-së.

“Procedurat që bazohen në provat e marra në mënyrë jolegjitime dhe nga një organ jolegjitim, nuk mund të jenë pjesë e asnjë procedure në sistemin gjyqësor të Maqedonisë! Gjithçka që kemi theksuar më lartë tregon mungesën e legjitimitetit të procedurave dhe provave që i ka përdorur PSP-ja në lëndët e nisura pas pas 30 qershorit të vitit 2017. PSP-ja tashmë e ka përmbushur misionin për të cilin është formuar, prandaj edhe më nuk ka nevojë që të ekzistojë. Të gjithë nenet e këtij ligji që kanë të bëjnë me PSP-në duhet të fshihen tërësisht”, thonë nga VMRO DPMNE.

VMRO DPMNE-ja kritikon edhe buxhetin dhe rrogat e PSP-së që thotë se janë shumë të larta në krahasim me ato të prokurorëve të rregullt, dhe kjo sipas tyre nuk është e drejtë ndaj prokurorëve që bëjnë po aq punë sa prokurorët special.

“Nëse PSP-ja do të vendoset në sistemin e rregullt prokurorial, cili është arsyetimi që të ketë buxhet të veçantë. Me këtë i jepni PSP-së autonomi dhe liri që të përpilojë planin e buxhetit dhe tia dërgojë Ministrisë së Financave. Për neve është kontestues trajtimi jo i barabartë i prokurorëve në aspektin e pagave.

Volumi dhe natyra e punës së prokurorëve të rregullt dhe atyre të PSP-së është i njëjtë, prandaj për çfarë arsye prokurorët e speciales të marrin rrogë sa prokurorët e lartë. Me këtë zgjidhje do shkaktohet revoltë tek prokurorët për shkak të trajtimit jo të barabartë”, thonë nga VMRO DPMNE.

VMRO-ja ka shkruar edhe se në amendamentin 14 dukshëm duket pabarazia mes prokurorisë së rregullt dhe asaj speciale pasi që mbikqyrja mbi punën e PSP-së nuk guxon tia cenojë autonominë, ndërsa një gjë e tillë nuk parashikohet për prokurorinë e rregullt publike.

Edhe në serinë e amendamenteve, opozita nuk ka lëshuar mundësinë për të kërkuar që prokurori publik të zgjidhet me propozim nga opozita.

Në total, partia më e madhe opozitare ka 65 amendamente të cilat janë pre e debatit që do të vazhdojë edhe këtë fundjavë mes grupeve të përziera të punës, të përbëra nga pushteti dhe opozita. Por nga ajo që kanë thënë përfaqësuesit e partive deri më tani në publik, asnjëra palë nuk ka lëvizur nga kërkesat e veta.

Marketing