Çfarë tregon grupi i gjakut për personalitetin tuaj

A e dinit se edhe grupi i gjakut mund të tregojë për ju, gjëra që as vetë nuk i njihnit te vetja? Zbuloni tiparet tuaja të fshehura

Marketing

Grupi i gjakut mund të tregojë shumë për të fshehtat e karakterit tuaj.

Vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë të gjakut do të mund të kuptoni se çfarë tregon ai për anën e ndritur dhe të errët të personalitetit të dikujt, transmeton njeshi.com

Grupi i gjakut 0

Personat që kanë grupin 0 janë shumë të përgjegjshëm dhe shoqërorë. Atyre u pëlqen të ndërmarrin nisma, ndonëse jo gjithnjë i çojnë deri në fund. Krijues dhe të njohur nga të tjerët, personat me grupin e gjakut 0 pëlqejnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe shfaqin më tepër besim te vetja. Personat me grupin e gjakut 0 priren të jenë ose vetmitarë, ose udhëheqës. Ata janë zakonisht intuitivë, të përqendruar, të pavarur dhe guximtarë. Nëse kërkoni dikë që të përballojë mirë stresin, këtë e bëjnë më së miri ata që kanë grupin e gjakut 0. Gjithashtu ata kanë imunitet më të fortë dhe fizik të shkëlqyer.

Të mirat: Janë ambiciozë, të fuqishëm dhe kanë besim tek vetja. Me pak fjalë, liderë të lindur.

Të këqijat: Janë arrogantë, të pandjeshëm, mendjemëdhenj dhe të pamëshirshëm.

Të famshëm: Al Kapone, Xherald Ford, Mikhail Gorbaçov, Mbretëresha Elizabet II, Xhon Lenon, Pol Njuman, Elvis Presli, Ronald Regan.

Grupi i gjakut A

Edhe pse në dukje janë të qetë, këta njerëz kanë standarde të larta dhe i mbajnë nervat përbrenda. I pëlqen shumë perfeksionimi, ose të paktën përpiqen t’i afrohen. Grupi i gjakut A është më artistiku nga të gjitha grupet e tjera. Personat me këtë grup mund të jenë të turpshëm, të ndërgjegjshëm, të besueshëm dhe të ndjeshëm.

Personat me grup gjaku A janë bashkëpunues, të zgjuar, pasionantë dhe inteligjentë. Ndonjëherë ziejnë nga ankthi në mënyrë që të dalin mbi të tjerët dhe kanë prirjen t’i mbajnë përbrenda emocionet derisa vjen një moment që shpërthejnë. Ata janë të tensionuar, të paduruar dhe nuk flenë mirë. Edhe pse janë të aftë për pozicione lideri, kjo mund t’i rraskapitë, sepse stresohen shpejt. Shumë persona me grupin e gjakut A janë kërkues në fusha të ndryshme si shkenca, ekonomia dhe arti. Për nga shëndeti këta persona kanë aciditet të ulët në stomak, ndaj duhet të tregojnë shumë kujdes kur ushqehen me proteina të ardhura nga kafshët.

Të mirat: Janë konservativë, introvertë, të rezervuar dhe të përpiktë. Me pak fjalë, perfeksionistë.

Të këqijat: Janë obsesivë, kokëfortë, të vetëdijshëm dhe nevrikë.

Të famshëm: Persona të famshëm me këtë grup gjaku janë Xhorxh Bush, Adolf Hitler, Riçard Nikson, Britni Spirs dhe Jet Li.

Grupi i gjakut B

Të orientuar për nga qëllime të përcaktuara mirë dhe kokëfortë, ata që kanë grupin e gjakut B e fillojnë një detyrë dhe e çojnë deri në fund atë, pavarësisht gjithçkaje. Personat me këtë grup gjaku janë më individualistë nga të gjithë dhe zakonisht e gjejnë vetë rrugën në jetë.

Personat e grupit B priren të jenë të drejtpeshuar, ata janë mendimtarë si grupi A dhe ambiciozë si grupi 0. Këta njerëz janë të ndjeshëm dhe i kuptojnë shpejt këndvështrimet e të tjerëve, por megjithatë hezitojnë të ndërmarrin sfida ose të përballen. Grupi i gjakut B mund të jetë sekreti i atyre që përbëjnë miq të mirë.

Të mirat: Janë krijues, pasionantë, optimistë, elastikë, individualistë dhe i duan kafshët.

Të këqijat: Kanë kujtesë të dobët, janë të papërgjegjshëm dhe përqendrohen vetëm te vetja.

Të famshëm: Xhek Nikëllson, Luçiano Pavaroti, Pol Mekartni dhe Leonardo Di Kaprio

Grupi i gjakut AB

Personat me grup AB kanë personalitet të ndarë. Ata janë edhe të shoqërueshëm edhe të turpshëm, edhe të sigurt edhe të ndrojtur. Ndonëse janë të përgjegjshëm, ndonjëherë shumë përgjegjësi mund të shkaktojë një problem. Këta njerëz me grupin e gjakut AB janë të besueshëm dhe pëlqejnë të ndihmojnë të tjerët.

Shumë simpatikë dhe të njohur, personat me grupin AB, nuk merren me çikërrima dhe shihen më shumë si shpirtërorë, por ndonjëherë edhe pak të krisur. Vetëm 2-5 për qind e popullsisë botërore ka grupin e gjakut AB. Nuk ka asnjë moment të mërzitshëm në jetën e këtyre personave. Ata janë gjithnjë duke e shijuar kohën. Ashtu sikurse edhe grupi A, këta njerëz nuk e durojnë dot stresin. Për AB, është e vështirë të përshtaten me të tjerët, ndaj ata krijojnë stilin e tyre të gjërave.

Të mirat: Janë qetë, të kontrolluar, racionalë, introvertë dhe të ndjeshëm.

Të këqijat: Janë indiferentë, të pavendosur, kritikues dhe nuk falin.

Të famshëm: Xhon Kenedi, Merlin Monro, Tomas Edison dhe Xheki Çan.

Marketing