Cikalleshi dhe Selahi: Ndaj Turqisë, për rezultat pozitiv

Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2020 ndaj Turqisë dhe Moldavisë.
Vëmendja më e madhe është e përqendruar te ajo me ekipin turk, pasi konsiderohet si një finale për çështjen e kualifikimit. Sulmuesi Sokol Cikalleshi deklaroi se skuadra jonë përfaqësuese do të kërkojë rezultat pozitiv në sfidën me Turqinë dhe se ai do të japë maksimumin.
“Për një sulmues, golat janë ato që motivojnë dhe na bëjnë të punojmë. Jam shumë mirë dhe jam gati të jap maksimumin por Kombëtaren. Ndeshja me Turqinë është një nga më të vështirat. Turqia është favorite se luan në fushën e saj. Mendoj se do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme, do shkojmë për të fituar këtë ndeshje edhe pse do të jetë e vështirë. Do të japim maksimumin në ndeshjen me Turqinë. Kemi shënuar të gjithë sulmuesit shpresoj që të jetë një ogur i mirë edhe në këtë ndeshje. Turqia është në momentet e mira të saj, nuk ka frikëson, do shkojmë atje të bëjmë lojën tonë”, deklaroi Sokol Cikalleshi, futbollist i Kombëtares.
Kombëtarja shqiptare nuk do të ketë në dy sfidat e saj të radhës Elseid Hysaj që pësoi një dëmtim në kampionatin italian dhe për Cikalleshin, ai është një humbje e madhe për skuadrën.
“Është një humbje e madhe, është një nga lojtarët kryesorë. Ndaj Islandën ai bëri një nga ndeshjet e tij më të mira, por besoj se në pozicionin e tij janë në gjendje të luajnë edhe lojtarë të tjerë. Shpresoj që të mos e ndjejmë mungesën e tij”, tha Cikalleshi.
Një nga risitë e listë së të grumbulluarve të trajnerit Reja ishte përfshirja e futbollistit të Twentes, Lindon Selahi që nuk e fshehu aspak entuziazmin e tij për këtë grumbullim.
“Pritja ishte e madhe, kam luajtur të gjitha ndeshjet me klubin tim. E kam merituar thirrjen në kombëtare dhe tani që mora ftesën isha shumë i lumtur. Kisha mundësi të luaja me Belgjikën, por kur të thërret Shqipëria dhe e ndjen veten shqiptar, Shqipëria është 100%. Skuadra tani në këtë moment është mirë, ka mundësi të kualifikohet dhe këto dy ndeshje janë të rëndësishme. do shkojmë në Turqi e Moldavi për të luajtur sa më mirë e për të marrë maksimumin”, u shpreh ai.

Marketing