Kryeministri grek Aleksis Cipras në një intervistë për Televizionin shtetëror grek ERT, ka konfirmuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi do të mbahen më 7 Korrik. Duke u prononcuar rreth Marrëveshjes së Prespës ai tha se ndihet krenar për arritjen e saj, siç u shpreh, pavarësisht çmimit politik.

“Morëm vendim të vështirë politik, vendim të cilin, nuk patën guxim ta marrin paraardhësit e mi, duke kundërshtuar rrymën e populizmit”, ka theksuar Kryeministri grek Cipras në një intervistë për Televizionin shtetëror grek. Ai shprehet krenar për marrëveshjen, siç thotë, pavarësisht çmim politik në tërë Greqinë.

“Duhet ta pranoj se ishte vendim i guximshëm dhe i vështirë politik, por për të cilin jam krenar. Jam krenar edhe unë, edhe qeveria ime gjithsesi, jam i sigurt se është krenar edhe ministri atëhershëm i punëve të Jashtme Nikos Koxias, që e kundërshtuam rrymën e asaj periudhe për ta mbrojtur interesin nacional, sepse të gjithë ata që mendonin se do të jetë tema qendrore në konfrontimin parazgjedhor, nuk ishte, dhe nuk ishte sepse nuk humbëm asnjë Maqedoni, jo vetëm që nuk humbëm, por u përmirësua prestigji i vendit. Tani vendi është në pozitë të orientohet drejt lindjes, “atje ku është edhe rreziku i vërtetë.”- tha Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras.

Kryeministri Cipras shtoi se, janë avionët ushtarakë grek, e jo ata turq, që e mbikëqyrin hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut, të cilën e quajti partner strategjik”. Për ndikimin e marrëveshjes, ai sqaron se ka pasoja dhe çmim politik, por jo në Greqinë veriore, siç prisnin dhe parashikonin disa, por në tërë vendin, sepse, siç shprehet Cipras, Marrëveshja e Prespës, i vuri në plan të dytë masat pozitive ekonomike të Qeverisë në Athinë. Kryeministri grek në intervistën për Televizionin Shtetëror grek konfirmoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi do të mbahen më 7 korrik.