“Civil” me peticion online për ndërprerjen e privilegjeve të funksionarëve

OJQ “Civil” ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve online në peticionin që synon ndërprerjen e privilegjeve të funksionarëve, duke filluar nga privilegjet që gëzojnë ish presidentët, e deri te funksionarët aktualë të Parlamentit e Qeverisë.

Marketing

Përmes peticionit kërkohet ndërprerja e apanazheve në cilindo nivel për cilëndo pozitë.

Ndërprerje e pensioneve të përjetshme për ish presidentët, deri në momentin kur ata i plotësojnë kushtet për pension. Ndërprerje e kompensimeve financiare për të gjitha bordet drejtuese dhe puna në këto borde të konsiderohet si nder e jo mjet për përfitim.

Funksionarët në pushtetin ligjvënës dhe ekzekutiv, si dhe vetëqeverisja lokale, duhet të heqin dorë nga makinat luksoze, nga shpenzimet rrugore, nga shpenzimet reprezentative, udhëtimet e shtrenjta për të cilat kanë arsyetime të dobëta, mobilet luksoze, blerje të veprave artistike për “dekorimin” e hapësirave punuese dhe të gjitha komoditetet tjera mbi të cilat marrin të drejtë në bazë të ligjeve, pas të cilave siç vlerëson “Civil”, qëndrojnë motive të dyshimta, madje edhe kriminele.

Kërkohet ulje e rrogave të larta të funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Ulje të numrit të deputetëve në Kuvendin e RMV nga 120 në 80, ulje të ministrave në Qeveri në maksimum 10 dhe ndërprerje të funksionit ministër pa resor.

Kërkesat nënkuptojnë ndërhyrje serioze në Ligjin për deputetët, Ligjin për të drejtat e presidentit, si dhe në ligje e rregullore të tjera që mundësojnë shpenzime të panevojshme dhe të mëdha të parave publike.

“Civil” dhe qytetarët që mbështesin iniciativën vlerësojnë se është e pakuptueshme që një vend kaq i varfër si Maqedonia e Veriut, të harxhojë miliona euro për kënaqjen e orekseve të funksionarëve.