Pas prokurorëve të Prokurorisë Speciale, avokatëve dhe të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, dëshmitari i koduar “E1” në rastin “Monstra”, sot do të merret në pyetje nga gjykatësi Ognen Stavrev.

Në seancat paraprake, “E1” ka deklaruar se i ka parë të akuzuarit 3-4 ditë përpara se ndodhë vrasja, në Liqenin e Smillkovës. Ndaj deklaratës së tij të mbushur me detaje, por edhe me kontroversa, kanë reaguar avokatët dhe të akuzuarit duke e cilësuar se po gënjen dhe se i njëjti është i montuar.

Nga ana tjetër, prokurorët, familjarët e të vrarëve dhe avokati i tyre, thonë se dëshmitari i flet të vërtetën dhe se nuk bëhet fjalë për dëshmi të rremë,raporton portalb.Dëshmitari i koduar “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012. Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili, pas heqjes dorë nga ky status, Prokuroria Themelore Publike asokohe e ka akuzuar edhe atë për pjesëmarrje në vrasje, gjegjësisht për logjistikë.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.