Në prag të shënimit të festës së Bajramit të Kurbanit, në disa pika të vendit janë duke u shitur bagëti të vogla dhe të mëdha për kurban.

Edhe në tregun e improvizuar të kurbanëve në kryeqytet, vazhdon shitja e kafshëve. Ata që kanë vendosur të therin kurban, thonë për TVM-2 se bagëtitë i plotësojnë kushtet fetare për këtë obligim fetar dhe po shikojnë të zgjedhin kurbanin më të mirë për ta, sipas mundësisë financiare.

“Kurbanin e kam ble 130 euro. Shitje nuk ka, shumë dobët, po tash dita e kurbanëve duhet ta kryejmë këtë obligim”…

“Tash sa dola,të përshtatshme janë. Kjo është dit motmoti. cajo osht kush ka mundësi e blen kush s’ka mundësi Ishalla Allahu në mot ia plotëson dëshirën”….

“Kurbanët të mire janë ama para duhen. Pa pare, s’ka. Nuk janë shumë shtrenjtë”, thanë blerësit.

Shitësit thonë se interesimi për blerje të kurbaneve nga viti në vit është duke rënë dukshëm edhe përkundër faktit se çmimet e bagëtive janë të pandryshuara, në treg ka më shumë vizitues se sa blerës, thonë ata.

“Shumë keq është, çdo vit e më keq , njerëzit nuk kanë para prandaj u lodhëm duke çuar kurbanët nga Tetova në Gostivar, Shkup e Kumanovë, por shitje nuk ka. Çmimin po e mbajmë të ulët sepse njerëzit nuk kanë para”…

“Njerëzit nuk kanë para, por ne patjetër duhet të shesim. ka shumë njerëz që blejnë këtu dhe e shesin siku tjetër, ata shesin më shumë se ne që e kemi mallin tonë”…

“Shumë lirë është, gati falas. 400kg lopa shitet për 400 euro. Unë i kam sjellë 2, vetëm një kam shitur. Këto 4 – 5 vitet jemi katastrofë”, thanë shitësit.

Por edhe përkundër mungesës së financave, ata që e kanë bërë nijet, blejnë kurbane . Sipas Islamit, me therjen e Kurbanit besimtarët i shprehin falënderim Zotit për pasurinë e falur, me të cilën pasuri është arritur mundësia që të theret kurbani.