Çmimet e maskave sipas qejfit, nuk ka legjislacion që e rregullon

Rritja e numrit të rasteve me Covid-19 në vend, ka bërë që gjithë qytetarët të drejtohen në masë drejt barnatoreve për të blerë maska mbrojtëse dhe dezinfektues.

Marketing

Ndërkaq, ka një kohë të gjatë që qytetarët raportojnë se çmimi i maskave dhe dezinfektuesve nuk është i njëjtë në të gjitha barnatoret, shkruan arbresh.info.

Përderisa çmimi i një maske në një barnatore është 0.50 cent, e njëjta maskë në një barnatore tjetër kushton 1 euro ose më shtrenjtë

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), Arianit Jakupi, për arbresh.info ka thënë se së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kanë aprovuar një udhëzim administrativ për stabilizimin e çmimeve, por komisioni që po merret me shqyrtimin e çmimeve, ka pezulluar punën e saj përkohësisht.

“Informata të sakta në lidhje me këtë problem nuk kemi. Ajo që mund të them për këtë çështje është se ndryshimi i çmimeve në barnatore ka të bëjë rritjen e vazhdueshme të kërkesave në barnatore. Bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë e kemi aprovuar një udhëzim administrativ për stabilizimin e çmimeve mirëpo komisioni që po merret me shqyrtimin e çmimeve, ka pezulluar punën e saj përkohësisht. Ne, si Oda e Farmacistëve, kemi bërë kërkesë të vazhdueshme në lidhje me stabilizimin e çmimeve. Nëse rregullohen në bazë ligjore, atëherë rregullohen edhe në treg”, ka thënë Jakupi.

Ndërkaq, sa i përket ndryshimit të çmimeve te maskave dhe dezinfektuesve, Jakupi ka thënë aktualisht nuk ka asnjë legjislacion që i rregullon çmimet e tyre.

“Sa i përket maskave dhe dezinfektuesve, këto nuk hyjnë në produkte medicinale, por në momentit kur rregullohen çmimet e shumicës së produkteve, rregullohen edhe këto. Ka furnitor të ndryshëm, ka lloje të ndryshme të maskave dhe aktualisht nuk kemi ndonjë legjislacion që i rregullon çmimet e tyre”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se këto shqetësime të qytetarëve i kanë denoncuar në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës qysh në muajin mars, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Qysh në muajin mars të 2020, këto shqetësime i kemi dërguar në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete”, ka thënë Hoti.

Arbresh.info, ka tentuar të kontaktojë me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Për më shumë, koronavirusi ka përhapur panik te qytetarët dhe shumica e barnatoreve në Kosovë, po e përdorin këtë frikë për të përfituar më shumë duke i ngritur çmimet e maskave dhe të dezinfektantëve.

Marketing